Anëtari i bandës famëkeqe të Yzberishtit, Ilir Avdillari, u kap paraditen e sotme në afërsi të Rrogozhinës. Pas informacioneve të mbledhura, policia arriti të zbulonte vendin ku fshihej 42- vjeçari, i cili ishte konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë që ka ikur nga vendi i vuajtjes së dënimit.
I dënuari me 22 vjet burg, Ilir Avdillari, i njohur si një ndër anëtarët e bandave famëkeqe të viteve ‘97-‘98 në Tiranë, ka përfituar një leje me afat 7-ditor, por ai nuk është kthyer brenda afatit të lejes. Avdillari duhej të kthehej dy ditë më parë në Burgun e Fushë-Krujës, kohë kur i përfundonte afati i lejes së dhënë.
Siç shkruhet në GSH, kjo ngjarje i ka kushtuar pezullimin nga puna drejtorit të burgut të Fushë- Krujës, Ligor Prifti. Masa u mor nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra./A.Xh