Një pjesë e koleksionit së 260 thesareve të trashëgimisë kulturore, që u ekspozuan në Kosovë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, mungojnë.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dje në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias ka deklaruar se thesaret e trashëgimisë nuk rezultojnë të jenë kthyer të gjitha, duke u shprehur se ka mungesa gjatë krahasimit të procesverbaleve të daljes jashtë kufijve të Shqipërisë dhe procesverbalit të kthimit.
Kërkesën për transparencë se në ç’gjendje janë thesaret e kthyera nga Kosova për ministren e Kulturës Kumbaro e bëri deputetit i PS-së, Alfred Peza. Ministrja Kumbaro gjatë përgjigjes tha: “Zoti Peza ju më bëtë dy pyetje, një pyetje që ka të bëjë më dosjen e ikonave të Gjergji Thimjos dhe tjetra që ka të bëjë me ekspozitën e 260 artefakteve që ikën me rastin e 100-vjetorit që kanë ndjekur itinerarin nga Roma në Torino dhe më pas u vendos që të ekspozoheshin edhe në Muzeun e Prishtinës. Për ekspozitën, informacioni i plotë dhe zyrtar, që unë pasi e ndoqa më përparësi këtë dosje, them se është një rast ose objekt shumë problematik. Jo më kot ai u bë objekt i reagimeve në media në muajin gusht”.
Ministrja Kumbaro konfirmon pa hezitim se 260 thesaret që u ekspozuan me rastin e 100-vjetorit të Pvarësisë kanë qenë të pambrojtura.
“Ka pasur vetëm një sigurim fizik nga ana e autoriteve kosovare, por nuk ka pasur asnjë policë sigurimi që t’i shoqëronte objektet, përkundër rasteve ku në Itali ato janë zhvendosur brenda të gjitha rregullave me policën e vet të sigurimit.Bëhet fjalë për të njëjtat sasi objektesh që u zhvendosën jashtë territorit të Shqipërisë për në Romë dhe në Torino dhe janë kthyer në 7 prill dhe janë shoqëruar me siguracionin përkatës, ndërsa në Kosovë ato kanë lëvizur pa asnjë ditë të siguruar me asnjë siguracion të posaçëm”,citohet ministrja në “Shqpitarja.com”.
Ministrja është shprehur se është marrë posaçërisht me këtë çështje, duke kontaktuar edhe Ministrinë e Kulturës së Kosovës.
“Ata kanë marrë gjithë masat për sigurimin fizik, por është një dosje që figuron pa siguracion”, tha ministrja Kumbaro.
Sikur të mos mjaftonte mungesa e policës së sigurimit, ministrja Kumbaro rreshton dhe abuzimet të tjera të rënda të ish-drejtorit të Institutit të Momumenteve dhe organizatorëve të kësaj ekspozite: “Dhe e dyta zgjatja e kontratës është bërë në mënyrë krejt të paligjshme dhe mbi bazën e vullnetit të drejtorit të IMK e pashoqëruar me VKM dhe unë në bazë të një analize të detajuar që i kam bërë vetë dosjes ka mospërputhje të listës së procesverbaleve, ose të listës që shoqëron VKM fillestare dhe të listës së procesvervalit të objekteve të dorëzuara në ekspozitë”, u shpreh ministrja e Kulturës, duke siguruar të pranishmit se pas hapjes së dosjeve objektet e kthyera, duke nisur që nga data 10 tetor, kanë nisur shpërndarjen në destinacion në muzeun e Durrësit dhe muzetë e tjera nga janë marrë.