Tashmë nuk ka më dyshime: sulmuesi uruguajan, Luis Suarez, do të vazhdojë të luajë për Liverpulin edhe për shumë sezone të tjera.
Lajmi bëhet me dije nga faqja zyrtare e Liverpulit, e cila pohon se Suarez ka rinovuar kontratën me klubin.
Liverpuli nuk ka dhënë asnjë detaj për marrëveshjen e re, por sipas mediave britanike, Luis Suarez ka rinovuar kontratën edhe për pesë vite të tjera dhe tashmë do të luajë për “Redsat” deri në vitin 2018.
Shifra që ai do të fitojë gjithashtu nuk është bërë publike, por mediat britanike thonë se ai do të përfitojë 13 milion euro në vit.
Menjëherë pas rinovimit, Suarez ka thënë se ndihet i lumtur.
“Jam i ngazëllyer që kam arritur marrëveshje të re me Liverpulin dhe kam siguruar të ardhmen time afatgjate.
Ne kemi lojtarë të shkëlqyer dhe skuadra po zhvillohet dhe përmirësohet gjithë kohën. Unë besoj se mund të arrijmë ambiciet për të fituar trofe dhe për të luajtur në nivel më të lartë me Liverpulin. Synimi im është të ndihmoj skuadrën të arrijë atje sa më shpejt që është e mundur.
Padyshim se mbështetja që kam marrë nga tifozët e Liverpulit ka pasur ndikim në vendimin tim. Jam krenar që i përfaqësoj ata dhe do të dal për të dhënë më të mirën secilën herë që do të vesh këtë fanellë”, ka thënë Suarez për faqen zyrtare të klubit, menjëherë pas rinovimit të kontratës.
Gjatë verës së kaluar Luis Suarez kërkoi me ngulm të largohej nga Liverpuli, me destinacion të mundshëm Arsenalin apo Realin e Madridit.
Por, Liverpuli rezistoi dhe arriti ta mbante sulmuesin, që këtë sezon ka shfaqur sërish një formë të shkëlqyer, çka ka bërë që ai të jetë sërish një nga lojtarët më të kërkuar, sidomos nga Reali, që është gati të shpenzojë shifra të çmendura për të.
Por, forma e mirë që ka shfaqur Liverpuli këtë sezon, ku është duke luftuar për fitimin e titullit kampion, duket se e ka bindur Suarez të qendrojë ende me të kuqtë.