Kujdesi parësor, perllogaritja e kosotove ne funksion te cilësisë

19 Janar 2014, 10:42Sociale TEMA

Përllogaritja e kostove në parësor do të ndihmojë në përmirësimin e metodës së financimit në kujdesin shëndetësor parësor nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, e lidhur kjo me performancën dhe cilësinë e shërbimit, por dhe duke ndikuar në rritjen e aksesit të shërbimeve për të gjithë popullatën. “Ka disa arsye objektive që e bëjnë atë të domosdoshëm, duke përmendur mundësinë e kalimit nga buxheti historik në atë real, sipas nevojave, reduktimin e pabarazisë në financimin e rajoneve të ndryshme, hartimin e një buxheti real, të lehtësuar nga shpenzimet e tepërta, stimulimin e një performance më të mirë, duke rritur edhe konkurrencën në tregun e shërbimeve, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve, sa kohë që shërbimet shëndetësore do të ofrohen bazuar në udhërrëfyesit dhe protokollet e praktikës klinike të miratuara”, thotë Albana Adhami, Këshilltare Mjekësore e Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, në shkrimin e botuar në revistën e Fondit, Fokus, citon ATSH.

“Një hap përpara drejt përcaktimit të kostos së shërbimeve në kujdesin shëndetësor parësor”, sipas saj, ishte tema e workshop, të organizuar së fundi nga Fondi, me mbështetjen e Fondit të Kombeve te Bashkuara për Popullsinë (UNFPA). Qëllimi i kësaj tryeze pune ishte prezantimi i studimit të kryer mbi llogaritjen e kostos së shërbimeve për moshën e tretë dhe për shëndetin riprodhues, shërbime të paketës bazë që ofrojnë qendrat shëndetësore.

Synimi i projektit është të ndihmojë në përmirësimin e metodës së financimit në kujdesin shëndetësor parësor nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, duke e lidhur ngushtësisht performancën e qendrave shëndetësore me cilësinë e shërbimit të ofruar, si dhe duke ndikuar në rritjen e aksesit të shërbimeve për të gjithë popullatën, sqaron Adhami. Në projekt u përzgjodhën 6 qendra shëndetësore në vend, mbështetur në kritere si pozicioni gjeografik, shpërndarja rajonale, niveli i infrastrukturës dhe aktivitetit të qendrës, si dhe volumi i punës së kryer. Për moshën e tretë, grup diagnozat që u përfshinë në studim, sipas Protokolleve të praktikës klinike për moshën e tretë ishin diabeti, shëndeti mendor, sëmundjet ishemike të zemrës, çrregullimet gastro-intestinale dhe osteoporoza. Ndërsa në fushën e shëndetit riprodhues, studimi u shtri në vizitat e detyruara që duhet të kryhen për gruan gjatë kujdesit ante-natal, post-natal dhe planifikimin familjar sipas protokolleve klinike përkatëse.

Por, sipas saj, ka pasur përpjekje të mëparshme në kujdesin parësor për llogaritjen e kostove të shërbimit, si studimi i Projektit Pro Shëndetit të USAID, në bashkëpunim me ISKSH dhe Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2008. Projekti u bazua në përllogaritjen e kostove të 3 diagnozave më me peshë në parësor, hipertensioni, diabeti dhe astma bronkiale. Një tjetër studim ishte ai që u krye në vitin 2012 nga ISKSH dhe OBSH, gjatë të cilit u llogarit kosto faktike në qendra shëndetësore për kujdesin shëndetësor për fëmijet dhe për të rriturit, përfshirë dhe shërbimet e shëndetit riprodhues dhe kujdesin shëndetësor për rastet e urgjencës

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje