"Profestë/ Protestë"

20 Shkurt 2014, 15:14Blog TEMA

Nga Marenglen Rexhaj*

 

Në një Shqipëri ku festohet shumë shpesh me dhe pa arsye, po festohet madhërisht edhe shembja e bustit. Për të mos marrë sulm me shikimin e parë që do ti hidhni këtij shkrimi, dua të them se ajo ditë për shumë arsye mund të jetë një festë, por ndoshta jo për ato arsye që disa shqiptarë festojnë.

Sot përvjetori i shembjes së bustit Enver Hoxhës, nga studentët dhe shqiptarët e tjerë që qëllimisht ose rastësisht ishin në atë shesh 21 vite më parë. Them qëllimisht ose rastësisht, pasi besoj që shpesh herë rasti është mbreti.

Politika, mediat dhe gjithë institucionet e sotme, janë mbushur me burra dhe gra 40 apo 50 vjeçare që rastësisht kanë qënë aty ato ditë kur po shembej sistemi. Sistemi që etërit e të gjithëve kishin ngritur me veprimin apo mos veprimin e tyre. Shqiptarët me një pasion tipik për të shkatërruar e shembur, atë ditë qëlloi të shembnin objektin e duhur, të paktën sipas shumicës së shqiptarëve të sotëm, ishte shembja e duhur.

Sot jemi në 21-vjetorin e shembjes së bustit që në fund të fundit vetë e kishim ngritur, si bustin e Enverit ashtu dhe Enverin e bustit. Madje për ngritjen Enverit të bustit deri në atë nivel sa ti bënim një bust, na ishte dashur më shumë mund e më shumë punë, se sa për ngritjen e bustit të tij prej bronzi.

Sot pas 21 vitesh shembja e bustit është vetëm një shembje në mes të qindra shembjeve, që kanë ndodhur në Shqipërinë tonë, të gjithëve mund të na vijnë shembje të ndryshme në mendje. Shembja e Enverit të bustit dhe shembja e bustit të Enverit ishin jo vetëm shembjet e para, por edhe motivi i çdo shembje tjetër që do të ndodhte në Shqipëri për 21 vitet e ardhshme. Shqiptarët kanë treguar për 21 vite që janë shembësit më të mirë në botë, ata dinë të shembin çdo gjë, dhe për më tepër janë shembës të paanshëm, ata me shume pasion nuk kursejnë as gjërat më të mëdha që kanë ngritur ndonjëherë. Shqiptarët për 21 vite kanë shembur çdo gjë që kishin ndërtuar për 50 vite, çdo dru që është mbjellë nga nënat dhe baballarët është prerë nga bijtë, çdo shtyllë betoni është thyer për të marrë çelikun e partisë.

Në emër të shembjes së Enverit, të kesaj shembje që sot është kthyer me të drejtë në ditë feste, janë shembur hekurudha, uzina, fabrika, e gjithçka tjetër që ishte ndërtuar nga shqiptarët për të ndërtuar Shqipërinë.

Shembja e bustit të Enverit që ngritëm, do të festohej me të drejtë, nëse do të ishte e vetmja shembje, por ajo është zbehur kur është kthyer në motivin për të shembur gjithçka që vetë kishim ngritur.

Kjo ditë do të ishte e drejtë të festohej dhe të quhej dita e ndërgjegjësimit, dita ku shqiptarët u ndërgjegjësuan që ishin gabim për 50 vitet, që deshën aq shumë dhe ngritën aq lart Enverin.

Për ngritjen e tij aq lart sa do të zëvendësonte Perëndinë edhe për shqiptarët me fetarë.

Kjo ditë do të ishte një festë e vërtetë vetëm nëse shqiptarët do ti mbaronin shembjet me shembjen e bustit, dhe të fillonin të ndërtonin një Shqipëri për të gjithë. Një Shqipëri ku askush nuk ngrihet kaq lart sa janë ngritur disa, thjesht sepse rastësisht ishin ato ditë rrugëve të Tiranës. Një Shqipëri ku askush nuk bie kaq poshtë, sa disa shqiptarë kanë rënë sot, thjesht sepse ato ditë ishin nëpër fshatrat e Shqipërisë.

Do të ishte ditë feste shembja e bustit që përfaqësonte një sistem që i kishte lodhur shqiptarët, nëse shembësit do të ishin edhe ndërtuesit e një sistemi tjetër që do ti çlodhte shqiptarët. Por me aq sa unë shoh, kuptoj dhe përjetoj, sot pas 21 vitesh ata që shemben një sistem, kanë dështuar të jenë ndërtuesit e një sistemi tjetër. Vendi i sistemit të vjetër akoma nuk është zënë nga një sistem i ri, personalisht dhe lirisht mund të them që nëse prindërit e mi vuajtën nën një sistem totalitar, unë po vuaj mungesën totale të një sistemi.

Studentët e sotëm tek shohin partitë politike dhe mediat shqiptare të mbushura me dhjetorista të rastësishëm, me të drejtë mallkojnë veten pse nuk ishin student ato ditë dhjetori, do ishte më mirë të ishin të fundit e klasës ato ditë se sa të parët e universiteteve sot. Sot në Shqipëri është krenari dhe privilegj i veçantë të thuash jam student i dhjetorit, apo jam një nga ata shembësit e bustit apo të diçkaje tjetër, besoj që këtë krenari dhe privilegj e vini re edhe ju.

Këtu akoma pi ujë më shumë të qenit një shembës i pashkollë i atyre ditëve se sa një ndërtues me shkollë në ditët e sotme, përmendet më me krenari një student i dhjetorit nga universiteti i Tiranës në ato ditë, se sa një student i Oxfordit apo Harvardit sot.

Do të festohej më denjësisht shembja e së shkuarës tonë, në një të tashme të sistemuar mirë, dhe me një të ardhme te projektuar qartë. Do të festohej më mire nëse shembësit e rastësishëm dhe të pa shkollë të atyre ditëve, do t’jua linin vendin ndërtuesve të qëllimshëm dhe me kualifikimet e duhura.

Do të festonim më mirë nëse do të udhëhiqeshim nga njerëz që vijnë në pushtet sepse janë ndërtues të mirë të një të tashmeje dhe të një ardhmeje të mirë, dhe jo thjeshtë sepse janë “shembës të mirë” të një të shkuare të keqe.

*Artikulli është shkruar 2 vite më parë, por duket aktual edhe sot.

9 komente në ““Profestë/ Protestë””

  1. _________________- says:

    Marenglen!!! ka te bej me bashkim emrash: marks-Engels-lenin….

    1. Ago says:

      info e sakte per emrin ?

  2. Ver Llapa says:

    2014-1991=23 se nga te dalin 21 ty re zogu nje zot. Hajt se folim prap.

  3. Ago says:

    lexoje deri ne fund dhe do ta kuptosh se nga i dalin 21 ?

  4. K says:

    DUKE QENE SE NUK ARRINI TE BENI NDONJE VEPRIM ORGJINAL,
    TE PAKTEN MOS PERDHUNONI KUJTIMIN E TE VETMIN XHEST ME DINJITET
    QE KA PARE NDONJEHERE POPULLI MUT SHQIPTAR.DHE PER KETE XHEST
    MERITEN E KANE RINIA PERPARIMTARE E TIRANES E JO TURMAT
    E MALOKEVE QE SILLEN RRUGEVE SI QEN ZORRESH TEK GAZHINA E MISHIT.

  5. Besi says:

    Mendoj se eshte nje koment i sakte dhe i qelluar. Jane bere shume pafytyresira ne emer te “luftes kunder komunizmit” pas rrezimit te atij busti te Enver Hoxhes. Po c’dreq komunizmi kemi perjetuar ne, populli i thjeshte, qe me shume po i meshohet sot me shume se koha parademokratike ? Komunizem ishte ai qe na nxirrnin shesheve per festat per te brohoritur “Rrofte Partia e Punes” dhe, kur shkonim ne shtepi gjenim buke ne tavoline sa per te shuar urine? Komunizem ishte ai qe coheshim te llahtarisur kur binte zilja e ores se tavolines ne oren dy te pasmesnates per te zene rradhen e qumeshtit per femijet tane? etj, etj. Lereni ate dreq percaktimi “komunizem” se eshte vetem nje banalitet dhe asgje tjeter. Mire u be qe u rrezua nje monument simbolik, por mos lejojme qe te na zene rrugen dhjetra e qindra buste te tjere, qe duan te na hiqen si trima se kush ishte ne shesh me 20 shkurt 1991 dhe kush u gjend rastesisht atje, sic permend artikullshkruesi. Vertete nuk mund te ishin te gjithe shqiptaret aty ate dite, por shumica dermuese e tyre e donte me zemer ndryshimin e sistemit te deshtuar. Nuk jemi ne nje mendje me nje gje: qe nuk ishte e drejte marrezia qe pushtoi nje pjese te popullit, kur kreret e partise demokratike “udhezuan” shkaterrimin e pergjithshem e shume veprave qe ishin ndertuar, pasi ajo ishte pasuri e te gjithe popullit. Tani po vuajme pasojat e rrenjosjes ne ndergjegje e shkaterrimit pa fre e gjithckaje, se pari, e ndergjegjes sone. Ajo qe prishet per nje dite ne koken e njerezve, do breza qe te ndreqet ne shoqerine e ketyre njerezve. Kjo aksiome dihet dhe eshte provuar ne historine njerezore, tani po e perjetojme edhe ne. Por, e keqja me e madhe eshte se kjo po perdoret edhe sot nga disa perfaqesues te zgjedhur nga vete ne vetem per te perfituar kapital politik. Kjo eshte e dhimbshme.

  6. Tani says:

    Ato qe shemben bustin nuk kane deshtuar te ndertojne nje sistem tjeter sepse qe te ndertosh nje sistem tjeter duhet te shkulesh nga themelet sistemin e vjeter por ku shkuleni kollaj ju, paskeni qene rrace e poshter shume.

  7. Saliu jo shpellar says:

    O @Ver Llapa, a di të lexosh, apo ja fut kot…Ky shoku, ka një shënim në fund të shkrimit që thotë: Artikulli është shkruar dy vite më parë, por është aktual edhe sot.

  8. Arif Gjongjini says:

    Analizë me saktësi të përpiktë. Do fati e ky shkrim të mos jetë “aktual” edhe pas dhjetra vjetësh!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje