Kunatit iu desh të mbyllte Bashkinë sot. Kërkesa e Doktorit që të hequrit nga puna të shkojnë para Kuvendit, e kapi në befasi.
Luli e thirri në zyrë dhe i tha: -“Ai” lart kërkon 5 mijë vetë para parlamentit.
-Ku t’i gjejmë pesë mijë vetë, i tha Kunati, ne pesë mijë nuk i çuam dot para kryeministrisë.
-Po kërkon të larguarit nga puna, i tha Luli.
-Ku t’i gjejmë, i tha Kunati, 220 janë larguar deri tani. Dhe ata s’kemi ku t’i kapim se shumica janë nga rrethet.
-Na duhen patjetër të bëjmë diçka, tha Luli. Ai i do atje tani, s’kam ç’i bëj.
-Çojmë këta që kemi në Bashki, tha Kunati. 250 i kemi tek gjelbërimi, 100 tek investimet, plus këta të administratës….
-Mirë, merru pak me këtë, i tha Luli. Nga ora 12 të jenë tek Kuvendi.
Sapo u nda me Lulin, Kunati thirri shefen e administratës dhe i kërkoi që gjithë të larguarit nga puna të mblidhen në Bashki urgjent.
Shefja e administratës u hutua shumë.
-Po ku t’i gjej unë tani, tha ajo.
-Gjeji ku të duash, i tha Kunati, 220 vetë janë.
-Jo shef nuk janë 220, janë 400, i tha shefja.
-Lere sa themi ne nëpër televizione, po 220 janë, i tha Kunati. M’i gjej urgjent e m’i sill para Bashkisë.
Shefja iku e hutuar. Shkoi në zyrë, hapi dosjet dhe filloi të bëjë telefonata. Ngaqë e kishte bezdi të fliste me të pushuarit, u thoshte të gjithëve një tekst: “Përshëndetje, jam nga Bashkia e Tiranës. E di që ju jeni një i pushuar nga puna, por do të ishte mirë të vinit sot në orën 12:00 në Bashki”.
Edhe reagimet nga ana tjetër ishin interesante. Disa e shanin, disa i thoshin ‘po, do vijmë’, disa i thoshin ‘mos ua pafshim surratin’…
Shefja u bezdis shumë, por e bëri detyrën.
Pas dy orësh, para Bashkisë ishin mbledhur rreth 30 vetë.
Kunati i pa nga dritarja dhe ua bëri me dorë.
-Hë mo legen, aty qenke ti, i tha njëri.
Kunati u çudit shumë që e shanë.
-Me siguri nuk më njohin, tha, kushedi me kë më ngatërrojnë.
Doli dhe një herë dhe i përshëndeti përsëri.
Disa gra iu turrën me të shara.
-Dreq pune, tha Kunati. Ç’të kenë këta njerëz që janë tërbuar me mua?
Zbriti tek zyra e shefes së administratës dhe e pyeti a e bëri njoftimin.
-E bëra shef, i tha ajo, por shumica nuk dun me ardhë. Thonë s’duam t’u shikojmë sytë. Disa kanë ardhë, por dhe ata janë shumë agresivë.
-Po ça dreqin kanë, tha Kunati. A janë me PD këta njerëz apo kanë qenë me PS?
-Me PS kanë qenë shef, i tha ajo.
-Si me PS, po pse i kanë pushuar nga puna?
-I kemi pushuar ne shef, i tha shefja e administratës.
-Po kë ke njoftuar ti, tha Kunati i çuditur.
-Po të pushuarit nga puna shef. A më the që njoftoi gjithë të pushuarit nga puna të jenë para Bashkisë në orën 12:00? Dhe unë i njoftova. 400 vetë kemi pushu ne si Bashki.
-Po unë të thashë ata që ka pushu Ed Rama nga qeveria moj, jo ata që kemi pushu ne.
-Qyqja shefo, s’të paskam marrë vesh, i tha shefja e administratës. Tani s’kena si me i heqë se ata s’lujnë prej derës se mendojnë se duam me i kthy në punë.
-Zgjidhe si të duash, i tha Kunati. Më 12:30 i dua të gjithë para Kuvendit.
-Veç me mbyllë Bashkinë shefo, me thënë që s’ka njeri në punë sot se kena miting, tha shefja dhe iku e tronditur nga ngatërresa që kishte shkaktuar.
Lulëzim Gjelbërimi
HA HA HA HA HA HA
http://goo.gl/18BpHT
Ne fakt jane hequr 270 vete me status dhe nja 800 me kontrata te perkohshme pune, kryesisht te lidhura pas 23 qershorit.
E VERTETE
kunoti….hahahaha!