Kunati distancohet nga Protesta 8+1

1 Mars 2014, 20:56Antena TEMA

Kunati mori dje vendim të prerë të distancohej nga Protesta 8+1. Arsyet ishin të shumta.

Të parët që ia kërkuan këtë, ishin vetë deputetët.

Ridvani i shkoi në zyrë i mërzitur dhe u ul pa folur në kolltuk.

-Dëgjo byrazer, tha. Unë nuk kam më moshë për gjëra të tilla. Gjithë kjo parti, mua më gjetët të shkoj tek ata delenxhi që s’paguajnë as leka, as gjë? Më nuk iu shkoj.

-Dakord, i tha Kunati, ne nuk e organizuam protestën, vetëm e mbështetëm.

-Qysh o s’e organizuam, je në të o? Po ne na u q… nëna tre ditë të gjenim pesë furgona të vinin. T’ëmën e s’ëmës, as lodhjen s’na e quani. Na mbërthyen dhe kamerat aty byrazer, si gryka topi ishin, nuk të shqiteshin. U bëmë gazi i botës u bëmë. Tallte trapin Genc Ruli, më dërgonte mesazhe, më thoshte “Rekord historik ke arritur. Po proteston për një mjet udhëtimi që nuk ke hipur kurrë gjithë jetën”.

-Mirë, dakord, i tha Kunati, nuk do dalësh më.

Ridvani u qetësua, por hyri Flamuri.

-Dëgjo, i tha duke ngritur gishtin. Çfarë t’i bëj atij burrit, se për ju s’kisha dalë aty. U bëmë gaz i botës. Dhe një furgon që doja të ngisja, ishte i prishur.

-Nejse, atë e bëre me dëshirën tënde, tha Kunati, ne nuk e kishim në udhëzimet tona. Se ti e di që grevën nuk e bënim ne, e bënin furgonat.

-Ça furgona leshi thu ti? Ne mezi gjetëm targa fallco me ua vënë mos i gjente policia kush ishin. Kujt ia mban nga furgonat të protestojë? Vallai ça t’i bëj atij burri, se s’kisha dalë më. Dhe nuk dal më. Do t’i them dhe atij.

-Në rregull, i tha Kunati, nuk do dalësh më.

Ndërkohë që mendoi se do vazhdonte radha me deputetë të tjerë, futet brenda një zotëri që nuk e njihte.

-Po të prezantohem, i tha. Jam kryetar i Shoqatës së Autobusëve në Linjat Ndërqytetase. Dua të bisedoj me ju.

-Eja ulu, i tha Kunati. Edhe ju për grevën?

-Për grevën, i tha kryetari i shoqatës.

-Çfarë mendimi ke, i tha Kunati.

-Do hidhemi dhe ne në grevë, i tha. Që nesër bile. Kemi për ta bërë protestën para Partisë Demokratike tek SHQUP dhe para Bashkisë.

-Po jo këtu, i tha Kunati, protesta duhet para qeverisë.

-Jo or ti, se e kemi me ju, jo me qeverinë. Qeveria është në rregull, i tha kryetari.

-Si qenka në rregull, i tha Kunati. Po pse do bëni protestë?

-E kemi me ju që doni të na hiqni bukën e gojës dhe të punojnë furgonat pa licencë. Ne paguajmë taksa, paguajmë biletat, u shërbejmë njerëzve, ju doni të punojnë ata pa letra e të falimentojmë ne. Me ju e kemi. Kam ardhur për të të lajmëruar.

-Më vjen keq, i tha Kunati. Nuk e organizuam ne protestën e furgonave. Ne vetëm ishim në protestë për t’i mbështetur.

-Mirë pra, m’i sill prapë ata deputetët që ishin në protestën e furgonave edhe tek protesta e autobusëve, i tha kryetari. Le të vijë ai Ridvani, Flamuri, Ed Halimi, bile dhe Aldo Bumçi të vijë, s’ka gjë që është budalla.

-Të them të drejtën nuk i dërgoj dot, tha Kunati, se pastaj duket sikur janë kundër Lulit. Por të siguroj që nuk do mbështesim më furgonat.

-Prit, i tha kryetari, se pas meje do të vijë dhe kryetari i shoqatës së taksive. Dhe ata kanë këtë problem.

-Më vjen keq, i tha Kunati. Unë po ta përsëris që nuk kemi punë me furgonat, por ata na kërkuan mbështetje kundër qeverisë dhe ne u çuam disa deputetë. Kaq. Luli është kundër këtyre gjërave, por ia ngatërrojnë punët këta të vjetërit e Doktorit. Sa t’i heqim këta, s’do kemi më probleme.

-Mirë çuno, si të dush, i tha. Se tani qekeni një furgon njerëz, por po vazhduat kështu, keni me ngelë vetëm një taksi me njerëz. Nuk mundet qeveria kështu.

2 komente në “Kunati distancohet nga Protesta 8+1”

  1. Gon Tabaku says:

    Mero, sinqerisht,
    vertet i hypi furgonit Muli?
    http://goo.gl/qWUNFk

  2. Davidi says:

    bile dhe Aldo Bumçi të vijë, s’ka gjë që është budalla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje