Valdet Rama ka kaluar mbi 20 minuta në fushë së bashku me lojtarin e tij të pëlqyer, Lionel Mesi, pasditen e së shtunës në Spanjë. Mesfushori kosovar ka qëndruar gjatë me yllin argjentinas edhe pas ndeshjes, të cilën Barcelona e humbi kundër Real Vajadolidit të Ramës me rezultatin 1-0. Takimi i luajtur në Valadolid ishte i vlefshëm për javën e 27-të të Ligës spanjolle. Për Ramën ishte hera e parë që luajti në një takim me Mesin në La Liga. Ndonëse u aktivizua si zëvendësues nga minuta e 71-të, mesfushori i Shqipërisë bëri një paraqitje të mirë. “Pas takimit, kam pasur një test antidoping. Në dhomën e testeve ishin Mesi me Aleksis Sançezin të Barcelonës, si dhe një shok i skuadrës time. Sançezi dhe shoku im e përfunduan testin shpejt, ndërsa unë mbeta më gjatë, po ashtu edhe Mesi, prandaj shfrytëzova rastin të bëja një foto me të. Është lojtari im i pëlqyer, më i miri në botë!”, ka thënë Valdet Rama për “Kohën Ditore”. Fotoja e Ramës me Mesin është shpërndarë të shtunën mbrëma në rrjetet sociale.
Ndeshja
Golin e vetëm në ndeshjen e së shtunës e shënoi Fausto Rosi në minutën e 17- të. Rezultati mund të shkonte në 2-0 në minutën e 84-t, por Oskari gjuajti mbi portë. Ai u shërbye shumë mirë nga Rama që kishte mundur të driblonte Havier Maskeranon. “Kam dhënë një asist të mirë, por fatkeqësisht nuk u shndërrua në gol. Megjithatë, pak ka rëndësi nëse rezultati do të ishte 1:0 apo 2:0. Të rëndësishme janë tri pikë të fituara që do të thonë shumë për skuadrën tonë për t’i ikur fundit të klasifikimit. Ka qenë një fitore plotësisht e merituar. Barcelona ka pasur vetëm një rast të pastër, ndërsa ne në pjesën e dytë, përmes kundërsulmeve kemi rrezikuar disa herë”, ka shtuar futbollisti nga Mitrovica. 26- vjeçari Rama thotë se Barcelona është ekipi më cilësor në botë dhe se nuk ishte e lehtë të luhej kundër yjeve të kësaj skuadre. “Jam i kënaqur sidomos që kemi fituar kundër më të mirëve. Nuk e kishim menduar këtë fitore, por në futboll ndodhin gjëra të papritura. Kjo fitore na jep shumë vetëbesim për të ardhmen. Nuk është aspak e lehtë të luhet kundër yjeve të Barçës, por ne prej fillimit kemi treguar se duam të marrim diçka nga ndeshja. Edhe lojtarët e Barcelonës e kanë kuptuar se nuk do ta kenë lehtë”, ka theksuar Valdet Rama.
Karriera
Mesfushori me tipare sulmuese iu bashkua Vajadolidit në janar të vitit të kaluar. Kampionatin e kaluar luajti vetëm pesë ndeshje, megjithatë siguroi një kontratë afatgjatë. Këtë edicion ka regjistruar 23 paraqitje dhe ka një gol e një asist. Në tri ndeshje ishte i dëmtuar, ndërsa vetëm një herë kur ishte i gatshëm nuk fitoi rastin. Në shumicën e ndeshjeve është aktivizuar si zëvendësues. “E kam ditur gjithnjë se kam cilësi të luaj në kampionatin spanjoll. Në atë të kaluarin nuk isha i përgatitur, më ka mbajtur vetëm talenti që kam, ndërsa tani fizikisht jam shumë mirë dhe natyrisht që e kam shumë më lehtë. Jam shumë i kënaqur me formën që po kaloj”, ka thënë Rama. Ai më herët ka luajtur edhe në Suedi e Gjermani, kurse në kampionatin e Spanjës është shqiptari i vetëm.
Pak me altruist ne kombetare dhe do na sigurosh kualifikimin. Ps gazeta tema pi doni lajm keni dy golat e besart berishes brisbane roar-adelaide 2-1
Ishte Mesi dhe Aleksi Sancez dhe nje shoku im i ekipit hahaha i madh Rama. S’ka emer ai shoku i ekipit mo vella apo ulet niveli i eksitimit po ta ndash qendrimin me Mesin dhe me ate?