Kunati e kishte harruar fare 15 Marsin, dhe kur e pa në faqet e gazetave, e kapi një lloj alarmi.
Ky është përvjetori i parë i Gërdecit dhe Kunati do të krijojë një identitet të tij për këtë çështje.
Për këtë thirri në një takim pune në zyrën e tij Aldon, Flamurin dhe Fahron.
-Ju kam mbledhur të konsultohem si njerëz me përvojë, u tha Kunati, për t’u pyetur se çfarë qëndrimi do të mbajmë tani në opozitë me Gërdecin. Natyrisht PD ka qëndrimin e saj zyrtar, që nuk do lëkundet, por një lloj freskimi mund t’ia bëjmë.
Si mendon ti Aldo, iu drejtua Aldos të parit.
-Unë mendoj, dhe e kam thënë dhe më parë, që është shumë e vërtetë që aty vdiqën 26 vetë, por ne kemi prova bindëse se ata vdiqën nga shpërthimi dhe nuk i vrau Zeni, siç thonë këta socialistët. Zeni nuk është marrë asnjë ditë me shpërthime dhe demontime. Është marrë vetëm me letra. Unë jam dëshmitar. Ai është njeri punëtor. I duhej një letër, të vinte tre- katër herë tek zyra vetë, nuk përtonte. Nuk është si këta të tjerët, që ishin mendjemëdhenj. Ishte njeri i thjeshtë, punëtor dhe e ndiqte punën pas. Iu desh një shkresë nga unë, erdhi dy herë vetë tek paradhoma pa njoftuar. Unë u vura në siklet dhe i thashë ‘nuk ka kuptim të vish më, t’i dërgoj unë me faks shkresat’. Dhe ashtu e lamë. Ia dërgoja fotokopjen me faks të vihej në dijeni. Ministritë e tjera nuk e kanë përkrahur. Ridvani për shembull e ka sorollatur dhe në fund nuk ia ka dhënë pozitive. Edhe Ruli ia la në dorë zëvendësit. Unë i dola zot punës sime.
-E kuptova, tha Kunati. Dakord, po flasim në përgjithësi tani se ç’qëndrim do mbajmë ndaj Gërdecit, jo ndaj Zenit. Ne jemi me Zenin dhe do jemi përgjithmonë.
-Ne kemi qëndrimin tonë të palëkundur, tha Flamuri, që Gërdecin e organizoi Edi Rama, pasi në një mbledhje KKRT-je, ai i pati dhënë leje Delijorgjit. Fakti që i ka dhënë leje Delijorgjit, do të thotë ka dashur ta fuqizojë ekonomikisht dhe t’ia fusë si kolonë e pestë Zenit në Gërdec, që ta inkriminonte. Ky ka qenë qëndrimi ynë…
-Prit një herë ti, tha Fahro, mos ia fut kot. Një herë Delijorgji është biznesmen dhe nuk duhet përgojuar se jemi dhe parti e djathtë. E dyta, lejet në Tiranë i takonin dhe ia kam dhënë unë me Ben Qirjakon, jo Ed Rama, se ne kishim shumicën. E treta, në atë kompani isha dhe ortak, dhe kështu siç thua ti, i bie që dhe mua më ka futur Edi Rama të inkriminoj Zenin. Po unë jetën e jap dhe Zenin s’e tradhëtoj kurrë… ndaj mos flisni broçkulla tani.
-Këto nuk janë broçkulla, janë qëndrimet tona, tha Flamuri. Ju, po deshët, ndryshojini. Ai Burri këtë qëndrim kishte.
-Nejse Flamur, diçka do ndryshojmë, tha Kunati, se ti e di që ne nuk kemi dhënë asnjë leje në Tiranë që kur kemi marrë Bashkinë se nuk na linte plani rregullues, dhe vetëm lejen e Delijorgjit tek Parku kemi dhënë. D.m.th ishim dakord të gjithë, dhe Zeni. Tani s’mund ta themi ashtu siç e thua ti që ne na e ka futur Edi Rama prapë…
-Unë nuk e di ç’pazare bëni ju, por ju them se ai Burri këtë qëndrim ka pasur. Ju, po të doni të bëni parti tjetër ndryshe nga ai Burri, bëjeni. Unë jam këtu për t’u thënë ç’mendonte ai Burri.
-Shiko, të mos nxehemi, tha Kunati. Këtë Delijorgjin mos ta përmendim. Zeni dihet që ka qenë i pafajshëm, drejtësia ka vepruar, por përgjegjësia e Edi Ramës nuk ka dalë deri në fund.
-Kemi fakte për këtë, tha Fahriu. Ai ka bërë ministër kunatin e Fatmir Mediut. Të lutem shumë, duam- s’duam ne, Fatmir Mediu ëhstë përgjegjës, dhe Edi Rama i ka bërë kunatin ministër. Këtë nuk duhet ta tolerojmë.
-Shiko se Fatmirin e kemi aleat, tha Kunati, them mos t’i hyjmë as kësaj pjese. Puna është ku të gjejmë ndonjë lidhje tjetër të Ramës dhe të mbajmë qëndrimin tonë?
-Ka lidhje, si nuk ka, tha Aldo. Ka më shumë se lidhje. Ai ka përgjegjësi. Vërtet atë ditë u vranë 26 vetë, por prej asaj dite nuk u vra më njeri me shpërthime tritoli. Ky zotëri, që kur ka ardhur në pushtet, ka 26 shpërthime tritoli, nga të cilat 4 me vdekje. Atëhere lind pyetja: Pse tritoli filloi të shpërthejë sapo erdhi Rama në pushtet? Përgjigjia është e qartë. Ata janë frymëzuesit e Gërdecit, që u mori jetën 26 vetëve me një shpërthim, ndërsa tani duan t’i vrasin njerëzit një nga një duke terrorizuar dynjanë.
-Kjo mirë është si tezë, tha Kunati, po s’ka kush të na e thotë publikisht. Do dikë ta thotë?
-E them unë, tha Aldo, ça të keqe ka?
-Në rregull atëherë, tha Kunati. Kështu e lëmë. Qëndrimin për Gërdecin ta përfaqësojë Aldo se atij dhe nuk ia merr njeri për keq.
-Me gjithë qejf, tha Aldo.
-Bëni si të doni, tha Flamuri, por ai Burri ka për t’u nxehur.
-Unë mendoj se Aldo është në lartësinë e duhur për ta përballuar këtë si problem, tha Fahro. Dhe unë jam dakord ta përfaqësojë ai.
-Po e mbyllim atëherë, tha Kunati. Duhet t’u tregojmë vendin këtyre qeveritarëve dhe të bëjmë një politikë të re.
edhe une jam i mendimit qe ta lexoj Aldo!