Shkëlzen Gashi mund të jetë lojtari i muajit mars në Superligën Zvicerane.
Shqiptari është kandidati kryesor për të fituar trofeun që ndahet çdo muaj.
Me 6 gola të shënuar në dy muaj dhe 11 gjithësej në Superligë, ai është golashënuesi më i mirë i kampionatit zvicerian.
Është lojtari shqiptar me formën më të mirë aktualisht, dhe me plot sukses po luan tek skuadra e tij Grasshopers. Mesfushori kosovar është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme, ku pothuajse nuk kalon ndeshje pa shënuar ose asistuar për bashkëlojtarët e tij.
25-vjeçari është në garë për titullin e kampionit me klubin e tij në elitën e futbollit zviceran, pasi ndodhet tri pikë larg liderit Basel.
Në një intervistë për “Arenën”, Gashi ka folur rreth formës së mirë që është duke kaluar, golat që po shënon dhe për titullin e mundshëm të kampionit.
“Momentalisht jam duke kaluar nëpër një formë tejet të mirë, dhe kjo më gëzon. Është shumë e rëndësishme për mua që ta mbaj këtë formë edhe në vazhdim të kampionatit”, deklaroi fillimisht Gashi.
Mesfushori me tipare sulmuesi foli edhe për gjasat e skuadrës së tij për t’u bërë kampione në fund të sezonit, ku në garë janë me skuadrën tjetër të kosovarëve, Bazelin.
“Skuadra është në formë të jashtëzakonshme momentalisht, dhe jemi duke kaluar një fazë tejet të mirë. Shpresojmë që do të vazhdojmë me këtë ritëm të lartë që në fund ta arrijmë edhe titullin e kampionit. Ne së pari synojmë të triumfojmë në ligë pastaj do të na mundësonte të merrnim pjesë edhe në Ligën e Kampionëve, që do të ishte shumë e rëndësishme”, vazhdoi më tutje Gashi.
Në 24 ndeshje të zhvilluara këtë sezon në elitën e futbollit zviceran, Shkëlzeni ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar shtatë asistime, duke e parë vetën në krye të golashënuesve në kampionatin helvetik.
“Dëshira ime është që në çdo ndeshje të shënoj gola dhe të dhuroj asistime që t’i ndihmoj skuadrës për të arritur objektivat. Por, prapë po them që më me rëndësi janë fitoret e skuadrës se golat e mi”, u shpreh ish-mesfushori i Zyrihut.