Kunati heton sherret dhe rrahjet në degët e PD

5 Korrik 2014, 19:41Antena TEMA

Një seri sherresh dhe rrahjesh po shoqërojnë zgjedhjet në çdo degë të PD në rrethe. Në Durrës kanë rrahur kandidatin e Kunatit, në Shkodër kanë zbuar kandidatin e Kunatit, në Pogradec kanë zbuar Fahriun, që s’dihet i kujt është.

Për të kuptuar se çfarë po ndodh, Kunati vendosi të bëjë një hetim.

Për këtë plotësoi një formular në formë pyetësori, që duhet ta plotësojnë kandidatët, me qëllim që Kunati të kuptojë me kë janë.

Pyetjet e tërthorta janë këto:

1. Si të duket drejtimi njëvjeçar i PD nga Lulzim Basha?

2. A ju shqetëson prania e përditshme e Doktorit në media, apo ju duket ndihmë e madhe për PD?

3. A ju duken drejtuesit e vjetër të PD ‘xhaketa të vjetra’, apo mendoni se janë ndihmë e madhe për të ardhmen?

4. A besoni se me zgjedhje të lira do fitojë më i miri, apo kandidaturat duhen orientuar?

5. A e dini kur e ka ditëlindjen Lulzim Basha dhe kur e keni mësuar?

6. A dëshironi të shikoni në krye të PD sërish ish- drejtuesit që kanë qenë, apo njerëz të tyre, apo njerëz krejt të rinj?

7. A ka njerëz në bazë që thonë ne nuk jemi me PD, po me Berishën?

8. Si do të pritej rikthimi i Doktorit në krye të PD?

9. A mendoni se fëmijët e Doktorit duhet të jenë në organet drejtuese?

10. A mendoni se këta që bëjnë sherre për zgjedhjet në PD, i paguan Edi Rama?

Në varësi të këtyre përgjigjeve, Kunati filloi të studiojë profilet e kandidatit. Belaja e gjeti me kandidatin e Pogradecit. Të gjitha pyetjeve ai u ishte përgjigjur duke shkruar “Poshtë Fahri Balliu, poshtë Partia e Punës”.

Sipas analizës së përgjigjeve, i binte që kandidati të përjashtohej nga gara. Kunati e mori në telefon dhe i tha të tërhiqej.

-Më vjen keq, i tha kandidati, unë jam në rregull, nuk më ka përjashtuar njeri.

-Po mua më tha Fahriu që të përjashtoi, i tha Kunati.

-Fahriu është i Partisë së Punës, i tha kandidati. Unë kandidoj për PD.

Kunatit i pëlqeu shumë dhe e la në garë.

I njëjti problem ishte me Durrësin. Një biznesmen kamionësh donte të bëhej kryetar i PD, por nga frika u ishte përgjigjur të gjitha pyetjeve pozitivisht. Por ai ishte dhe me Lulin, dhe me Doktorin, dhe me të vjetrit.

-Po ky ka qenë shofer kamioni apo pronar kamionësh, pyeti Kunati.

-Pronar, i thanë nga dega e PD.

-Çudi se ka përgjigje shoferi, tha.

Në Shkodër ishte më e qartë. Jozi kishte vënë kandidatin e saj dhe nuk pranonte kandidatin e Lulit. Dhe përgjigjet ishin të qarta. Kandidati i Jozit ishte pro Doktorit dhe pro të vjetërve, kandidati përballë dinte dhe ditëlindjen e Lulit. Por dhe aty nuk i eci.

-Aman dhe unë ç’lodhem kot, tha Kunati. Le të fitojë kush të dojë, tek unë do trokasin. Sa prish gjakun kot.

2 komente në “Kunati heton sherret dhe rrahjet në degët e PD”

  1. Alma Mile says:

    Ah sikur te ishe kunati im, do kishte fituar dynjaja, jo vetem shoqeria ime….

  2. petrit says:

    Pershendetje jane ba si kunati si luli si doktor I me I fute ne nje
    Fuqi e me I leshu me ni mal teposhte shpatit.e me mylle karrjere

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje