Antenat më të lexuara të vitit

29 Dhjetor 2014, 21:18Antena TEMA

15.01.2014

 

Kunati, probleme me Familjen për prurjet e reja

 

 

Kunati është i shqetësuar së fundmi për marrëdhëniet me publikun, pasi disa nga njerëzit e afërt të Lulit, Doktori jo vetëm që nuk i do, por ka vendosur t’i sulmojë. Kjo i ka krijuar probleme, pasi e ka të vështirë t’ua shpjegojë militantëve se çfarë po ndodh.

Incidenti i parë ndodhi me mbesën e Doktorit. Edhe pse Fevzo u tregua korrekt në intervistën me Ramën dhe ia bëri gjithë pyetjet që i ofroi Kunati me ekspertët e vet, kjo gjë e kishte shqetësuar shumë Doktorin. Ai kishte thirrur Lulin dhe i kishte thënë:

-Zotëri, po përpiqesh të rehabilitosh njerëzit që flak unë. Këtë nuk të lejoj ta bësh.

-Doktor, po mua m’u duk se ai na bëri një shërbim, i tha Luli, ia bëri pyetjet.

-Zotëri, shërbimi më i mirë që mund të na bëjë ai është t’i lëpihet Edvin Ramës. Nuk mund të marrësh ti ata që flak unë. Këtë ta dish mirë.

Luli ishte mërzitur shumë dhe ia qau hallin Kunatit.

-Nuk di si t’ia bëj, tha. Ai mërzitet pse bëhen me mua ata që nuk duan atë. Është mërzitur pse Fevziu kishte bërë pyetjet që i dhamë ne Ramës. E do patjetër me Ramën atë.

-Rëndësi ka mos ta thotë në publik, i tha Kunati. Do bëjmë si do bëjmë, do t’i durojmë këto sherret brenda.

Por nuk zgjati më shumë se një ditë dhe mbesa ia plasi në Facebook. Ishin pak a shumë të njëjtat fjalë që i kishte thënë Lulit.

Luli erdhi i trembur sërish në zyrë.

-E pe mbesën, tha. E shikon ç’na bëri. S’di ç’t’i them Fevzos tani.

-Mos bëj asnjë koment, i tha Kunati, se nuk i dihet, i rrëshqet goja diku dhe i shkojnë fjalët atij.

Të nesërmen ndodhi një incident tjetër.

Dhëndri i Doktorit kishte bërë shkrim kundër Çilit në Facebook. Dhe ai e akuzonte atë për servilizëm ndaj Ramës pse e kishte shpallur “Njeri i vitit”.

Luli erdhi sërish i trembur në zyrë të Kunatit.

-Po ne nxorëm dhe Grigjën të distancohej nga Çili, tha, prapë nuk na e kanë quajtur. Si t’ia bëjmë?

-Ja të pyesim Grigjën, tha Kunati dhe i kërkoi asaj një mendje se si e kuptonte ajo reagimin e Familjes kundër gjithë njerëzve që ka afër Luli.

-Është një intimidim persistent, që vjen nga një mbingarkesë e pazakontë emocionale në momentin e një kthese psikologjike që forcon elementë joracionalë veprimi në funksion të një historie, e cila tashmë nuk funksionon sipas logjikës mbi të cilën ke ndërtuar një imazh politik…

-Po, shumë mirë e paske menduar, i tha Kunati. Dil tek Qani këtë të premte dhe shpjegoje kështu që të mos e marrë vesh njeri se na hap shumë telashe po u kuptua se çfarë po ndodh.

 

 

 

02.02.2014

 

Kunati sqaron mbështetësit për SMS-të e Doktorit në Opinion

 

 

Pas publikimit të SMS-ve që Familja e Doktorit i kishte nisur Tan Hoxhës në emisionin Opinion, Kunati pati shumë reagime nga mbështetësit e tij në PD rreth kësaj situate.

Kunati mblodhi në mëngjes gjithë njerëzit kryesorë të PD-së që janë dhe pjesë e debateve dhe tentoi të merrte një opinion prej tyre. Sikleti i tij kryesor ishte që t’u shpejgonte pse ata nuk komunikonin me Lulin, por me Doktorin. Dhe për këtë kishte gjetur një përgjigje Grigja.

-A e pe çfarë ndodhi? Si ka mundësi që në një frymë të tillë kosistente në PD, ku faktorët irrelevantë kërkojnë të dominojnë përmes një vegjetarizmi absurd, ekziston shansi që të rifaktorizohen përmes disa konjukturave virtuale që aspirojnë tendenca manipulative mbi lidershipin real…

-Qartë, qartë, tha Kunati. Ishte pak e rëndë, por Luli e ka bërë të qartë që nuk u dërgon mesazhe atye.

-Jam e vetëdijshme për një situatë të tillë, por nuk e kuptoj përse duhet të disfavorizohemi nga komplikime  absurde jo racionale që derivojnë në një rrugëzgjidhje jo efiçente…

-Do përpiqemi ta rregullojmë, tha Kunati, por Luli nuk dërgon mesazhe.

Grigja nuk u nda e kënaqur nga shpjegimi i Kunatit, por nuk kishte çfarë të bënte.

Pastaj foli Jozi.

-Ha mar ti, çfarë të duket vedi, se je mëkmbës i Bashës këtu a? A e pe kë ka mëkmbës Berisha a jo? Ai s’don me ja dit kush jeni ju.

-Sido që që të ndodhë, Luli nuk dërgon mesazhe në TV, tha prapë Kunati.

Pastaj e mori fjalën Majlinda.

-Është pak tepërim që ata analistët i kanë mesazhet e Doktorit si viagra pa të cilën nuk flasin dot, por s’ke çi bën. Një zgjidhje është dhe ajo.

-Desha të them, tha Kunati, se Luli nuk dërgon kurrë mesazhe në emision, dhe kjo është diçka për të cilën nuk mund të fajësohemi.

Ndëhyri dhe Aldua.

-Unë nuk e kuptoj, tha, pse është prolem ky! E para e punës ata nuk janë treguar korrekt, se nuk i kanë lexuar mesazhet siç ua ka çuar Doktori. Të paktën ato që pamë. Mua kur mi çon i lexoj fjalë për fjalë. Duhet të kemi respekt për Doktorin.

E dyta që dua të them, është një nder i madh që Doktori në këtë moshë është njeri i angazhuar dhe mendon natë e ditë për PD.

Dhe e treta, unë mendoj se kur dikush të thotë “bravo” apo “të lumtë”, do të thotë që ke punuar mirë. Unë kështu e di.

-Ke të drejtë, i tha Kunati, ashtu është. Por, Luli nuk dërgon kurrë mesazhe.

-Nejse, desha të them dhe unë dy fjalë, tha Ristani. Unë jam plotësisht dakord me ato mesazhe që ka dërguar Doktori, se ishin të shkurtra dhe lexoheshin kollaj. Problem është kur fjalia ka disa fjalë, asaj si t’ia bësh?!

-Qartë, qartë, tha Kunati, po desha të theksoj se Luli nuk dërgon mesazhe në emision, tha Kunati.

-Po çdo me thënë ti me këtë, i tha Mesila. Çfarë merite është kjo?

-Mos u nxeh zonja Mesila, i tha Kunati. Nuk është se thashë që është meritë, por e ka praktikë. Ai vetëm merr mesazhe dhe ai që merr mesazhe, s’ka faj.  Ndaj them që dhe ata djemtë nuk kishin faj.

 

 

 

 

 

21.11.2014

 

Lazarati letër publike kryeministrit për propozimin e deputetit 2K

 

Zoti kryeministër!

Dëgjuam me vëmendje dhe shpresë fjalën e deputetit 2K në Komisionin parlamentar të Ekonomisë rreth licensimit të varietetit të Canabisit të fshatit tonë.

E dimë që ka shumë debate rreth kësaj çështje, por ne preferojmë të japim mendimin tonë, i cili shkon në një gjatësi vale me atë të deputetit 2K.

Së pari, duam të sigurojmë deputetin 2K dhe ministrin Panariti, se canabisi jonë është i certifikuar dhe i njohur në tregun ndërkombëtar. Mund të shkoni në klube në Holandë apo SHBA ku lejohet shitja dhe ai është i paketuar nën emrin “Lazarat’s Canabis”. Ky emër është krijuar me mund, punë dhe djersë nga fshati qysh me ardhjen e demokracisë në Shqipëri dhe është ruajtur me armë në dorë deri në pranverën famëkeqe të vitit 2014, kur hordhitë e Saimir Tahirit, vërshuan në fshat si pushtues dhe shkatërruan gjithë këtë perandori.

Deputeti 2K thotë se ne kemi pas prodhuar 7,5 miliard euro të ardhura në vit. Kjo shifër na duket shumë e lartë, por sidoqoftë ne kemi mbajtur gjallë ekonominë shqiptare dhe për këtë jo vetëm që nuk jemi vlerësuar, por jemi anatemuar.

Prandaj kërkesa që certifikata e canabisit tonë të njihet zyrtarisht dhe nga shteti shqiptar, mendojmë se është e drejtë. Ministria e Ekonomisë që drejtohet nga deputeti ynë Ahmetaj dhe ajo e Bujqësisë, duhet ta certifikojnë sa më shpejtë.

Së dyti, pamvarësisht se ne na kanë njollosur politikisht si të djathtë, kemi bashkëpunuar shumë mirë dhe me të majtën në të gjithë kohërat. Nëse të djathtët i kishim shitës shumice, të majtët i kishim përdorues pakice dhe në disa raste, dhe mysafirë në fshat. Për këtë arsye, ne nuk kemi paragjykime që po na del në krah deputeti 2K dhe jo Aldo Bumçi. Ajo që na gëzon është maturia e së djathtës në këto momente, e cila megjithëse nuk lë gjë pa thënë për deputetin 2K, këtë propozim ja ka pëlqyer dhe ka heshtur. Edhe ne kemi bërë punën tonë.

Së treti, qeveria kujtoi se duke zhdukur Lazaratin, do ulte kriminalitetin në vend. E keni gabim. Sa kishim ne punë, kriminelët vinin këtu dhe shpëtonte gjithë vendi. Këtu trulloseshin pak me hashash dhe ishin më të qetë. Tani që e prishët Lazaratin, ja se çfarë bëtë. Kriminelët dolën rrugëve dhe vrasin nëpër klubet e Tiranës. Sa ishte këtu Konstandini, nuk bëri zarare. Sa shkoi në Tiranë, shkoi vrau katër vetë pse si jepnin pak hashash. Ndaj në këtë pikë, propozimi i deputetit 2K është me vend.

Së katërti, ka aludime që pasi u shkatërrua canabisi ynë, qeveria po kërkon të krijojë monopol të saj me letra, për të punuar për vete.

Ne nuk i besojmë këto zëra. Ne besojmë se qeveria do t’u japë shanse të barabarta të gjithëve, nëse certifikohet canabisi ynë. Por, ne natyrisht do të jemi më të privilegjuarit, pasi është marka jonë. Ne e shikojmë këtë lëvizje, si një mënyrë për të na kërkuar falje për dëmet që na shkaktuat. Tani statusin e morëm dhe s’na e heq njeri. Kështu që mendojmë se është koha t’i kthehemi prapë punës.

Së pesti, për të gjithë ata që mendojnë se deputeti 2K është vegël e kryeministrit, tani kanë rastin të shikojnë se ai është mbi kryeministrin dhe një hap para tij. Propozimi i tij është kurajoz dhe largëpamës, dhe tejkalon vizionin e prishjes së gjërave të kryeministrit, me një vizion të ri, ndërtues, dhe mbështetur mbi prosperitetin ekonomik. Është koha ta marrim seriozisht këtë propozim për të mirën e kombit tonë. Pas kësaj, propozojmë që deputeti 2K, të quhet 3K, duke i shtuar dhe K-në e kanabisit.

Me respekt

Populli i Lazaratit.

 

 

 

14.10.2014

 

Rrëfimet e Fevzos nga Aeroporti i Beogradit: 49 minutat e mija nën terrorin serb

 

 

Fevzo ka bërë sot dhe ditarin e tij të radhës për atë që përjetoi në aeroportin e Beogradit.

“Sapo u ulëm në tokë, tek dera e avionit u vërsulën forcat speciale të veshura me antiplumb dhe armatosur deri në dhëmbë. Të gjithë patëm një shtangie. Unë dola i pari tek dera dhe u ktheva pas nga avioni

-Mos u trembni, u thashë, nuk kanë çfarë na bëjnë.

Pastaj ju ktheva ushtarëve.

-Ulni armët, u thashë, ndryshe do flas me kryeministrin tuaj dhe do ta kini punën pisk.

Ata ulën menjeherë armët, na kthyen shpinët dhe i drejtuan armët për nga hyrja e aeroportit, me frikën se mos na sulmonte turma.

Pasi hodha këmbën i pari në tokë, dhe të tjerët erdhën pas. U drejtuam tek terminali. Aty ishte provokimi i dytë. Një polic doli dhe më preu rrugën.

-Mbani radhën, më tha.

-Ku është terminali i VIP, i thashë, se kam biznes klas.

-Nuk ka VIP në Beograd, më tha. Do rrish bashkë me të tjerët.

Atëhere nxorra telefonin dhe mora Tadiçin në telefon. I tregova ç’po na ndodhte.

-Ti e di që s’jam më president tha, por po flas me dikë.

Polici më dëgjoi dhe u tremb.

-Zoti Fevziu. nuk e kisha me ju. Tha. ju mund të kaloni.

-Jo, unë nuk iki vetëm pa kaluar gjithë tifozët e ekipit kombëtar, i thashë.

-Jo, na vjen keq, tha polici, për ty kemi porosi të veçantë, se je nip Toptanas, dhe kemi respekt për Esat Pashën, këta të tjerët do rrinë në radhë.

E pashë që ishte provokim dhe nuk pranova.

Më tha Bushati që po ta bën polici kalo nga VIP. I thashë, duan të më respektojnë, se më kanë parë në TV, po nuk pranoj.

Atëhere u mblodhëm të 45 tifozët që ishim në radhë.

-Tani s’keni ça bëni u thashë, do hyjmë.

-Patjetër që do hyni, tha polici, po me radhë.

-Më vjen keq, i thashë, po kaluan 13 minuta.

-E di, tha, është pak problem, se mezi punojnë kompjuterat, por mos u shqetëso.

-Apo e ke me pantallonat e mija që janë të kuqe, i thashë për ta provokuar.

-Jo jo, tha polici, s’kam gjë Ne kemi marrë urdhër nga BE të mbrojmë paradën gej.

Donte të më provokonte patjetër, po e ruajta qetësinë. Mu afruan tifozët e tjerë.

-Çfarë do bëjmë, më thanë, se po na provokojnë.

-Do qëndrojmë, i thashë. Nuk i lejojmë të na poshtërojnë. Tani do flas me presidentin e Serbisë, por ishte në linjë me kryeministrin dhe është pak i zënë. Sa të lirohet do flas me të dhe do na lirojnë.

-Po lere mo burrë, tha njëri, fol me Bushatin, ca do flasësh me presidentin.

-Bushatin këtu e ke, fol vetë i thashë.

-Jo me Andin mo burrë, me atë ministrin e Jashtëm.

-Ç’punë kam unë me atë mo burrë, i thashë? Ja prit se po më bën zile kryeministri i Serbisë.

Pasi fola me kryeministrin dhe i shpejgova situatën e rëndë në aeroport, ku polici na kishte vënë në rresht dhe na thoshte mbani pasaportën në dorë, ai u ndje keq dhe më këkroi ndjesë. Kjo nuk do përsëritet më, tha. Folëm pak dhe për situatën në Serbi dhe vizitën e Ramës në Beograd, dhe më kërkoi t’u thosha tifozëve të qetësohen se gjithçka do rregullohet. Dhe në të vërtetë kishin kaluar 31 minuta dhe ne ende nuk kishim dalë. Policia po vepronte ngadalë. Kur kalova tek skaneri i policisë, polici më pyeti pse kam shall të kuq.

-Më shkojnë me pantallonat, i thashë.

-Ok, tha, por s’ka lezet, se është provokim.

Më në fund isha i lirë. I mëposhtëm serbët. Sapo kalova traun mora përsëri kryeministrin e Serbisë dhe e falenderova për ndihmën. Më tha mos të lëviz, se do na çonte një autobuz, mos na ngacmonte njeri rrugës.

E falenderova dhe ua komunikova tifozëve këtë lajm.

Shpërthyen brohoritjet dhe lot gëzim. Fitore, fitore dëgjohej gjithandej. Më në fund e kishim mposhtur terrorin serb. Ja kishim dalë. Bushati mu duk pak i trishtuar nga e gjithë kjo.

-Çfarë ke, e pyeta?

-Na paska rrejt ai Batoni, tha, që na tha se do na mbysin serbët. Këta na sollën dhe autobus falas.

-Autobusin e sigurova unë, i thashë, mos ua quaj për meritë serbëve. Hajt se Batoni se ka keq. Por unë bëra namin, ndryshe do na kishin fut në burg. Me këto simbole kuq e zi që kam veshur unë, zor se dilja gjallë i thashë.

-Ku je vesh kuq e zi, më tha Bushati, t’i vetëm të kuqe ke?

-Kam rripin e orëz të zi, i thashë. Po nuk e kapi dot polici

Beograd 14 tetor 2014”.

 

 

 

 

 

01.08.2014

 

 

Fullhani letër të hapur kryeprokurorit për vjedhjen në bankë

 

I nderuar zoti kryeprokuror!

Po detyrohem të thërras sekretaren në zyrë dhe të lë mënjanë disa pjesë të rëndësishme të axhendës sime të sotme, siç janë dy dreka pune, tre mëngjese pune dhe gjashtë kafe pune, të cilat kanë rëndësi për mua dhe Bankën e Shqipërisë.

Siç të thashë, po më detyron të thërras sekretaren në zyrë dhe të ulet e të të shkruajë një letër të cilën do t’ia diktoj vetë, por ngaqë nuk e përdor kompjuterin, më duhet ta daktilografoj.

Siç e dini, në Bankën që unë drejtoj ka ndodhur një veprim i papëlqyeshëm, dhe një djalë pa edukatë, ka mbushur në mënyrë sistematike të mbathurat me lekë dhe na ka vjedhur 7 milion e ca dollarë.

Ky është një akt i shëmtuar edhe nga ana etike, pasi leku shqiptar, i cili ka ruajtur dinjitetin në kohë të forta krize, nuk mund të përfundojë në brekët e një maskarai të pasjellshëm.

Do të thosha dhe ca fjalë të tjera që i kupton vetë, por nuk ja diktoj dot sekretares, se më vjen zor, pasi jam djalë qyteti, “çun tirone”, dhe s’përdorim fjalë të pista.

Ky veprim i papëlqyeshëm nga ky rrugaç, më ka shqetësuar shumë. Siç e dini ju, unë jam njeri liberal dhe i mbaj mirë punëtorët, por kjo që ka bërë ky është kulmi, pasi ky ka tentuar të bëjë para më shumë se unë. 7 milion si kam bërë unë akoma, kurse ai ka tentuar t’i bëjë me një dorë.

Ky veprim më ka shqetësuar shumë si mua, dhe opinionin publik. Të dy palët jemi të shqetësuar përse nuk flasin politikanët shqiptarë.

Ky në fakt është një gjest i papranueshëm. Ata duhet të dalin e të ngrenë zërin kundër këtij maskari që na ka vjedhur lekët në sytë e të afërmve dhe kushërinjve të politikanëve.

Çuditem si hesht Sali Berisha, kur paratë janë vjedhur në sytë e Mirandës, kunatës së tij.

Çuditem si hesht Ridvani, kur hajduti ka vjedhur vjazën e tij Adelën.

Çuditem si hesht Topalli, kur hajduti ishte në një korridor me Megin, vajzën e saj.

Çuditem si hesht presidenti, kur hajduti përshëndetej çdo ditë më Odetën, gruan e tij.

Çuditem si hesht Strazimiri, ky luftëtar i madh antimafie, kur hajdutin duhet ta kapte motra e tij.

Çuditem si hesht Keltis Kruja, kur motra e tij e kishte në zyrë hajdutin.

Çuditem si hesht Arben Imami, ku kunata e tij ishte shoqe me hajdutin etj.

Por, nëse këta heshtin, ty zoti kryeprokuror nuk të falet të heshtësh, pasi dhe ti ke kunatën tënde tek burimet njerëzore dhe ka përgjegjësi për sjelljet e pahijshme të këtij personi.

Unë mund ta vazhdoj pa fund listën e atyre që kanë përgjegjësi për këtë vjedhje.

Janë rreth 50 politikanë dhe persona publik që kanë të punësuar në bankë njerëzit e tyre.

Ç’po bëjnë këta njerëz tani? Përse heshtin? Kujt i shërben heshtja e tyre? Përse nuk e sulmojnë hajdutin? A mos vallë kanë merak se të afërmit e tyre janë kolegë me të?

Zoti kryeprokuror. Pyll pa derra nuk ka dhe natyrisht bankë pa hajdutë s’mund të ketë. Ndaj unë po të drejtohem ty dhe gjithë atyre që keni njerëzit tuaj në bankë, të ngrini zërin dhe të reagoni për këtë vjedhje të turpshme. Ju duhet ta vini me shpatulla për muri hajdutin dhe duhet t’i tregoni vendin atyre që u kritikojnë përse nuk flisni.

Ta them këtë, se kam katër ditë që jam tmerrësisht i shqetësuar.

Para katër ditësh kisha lënë një drekë me Fevzon dhe Sandrin dhe sapo mora vesh lajmin, e anullova. Kisha lënë një darkë me dy biznesmenë, e anulova dhe atë, se nuk më hahej, gjë që është ngjarje e madhe. Të nesërmen kam ngrënë drekë në zyrë, tre pica me porosi. Dhe dje kam hëngër një tavë peshku me porosi, i vetëm. Nuk më dilet nga zyra, nuk më punohet dhe jam pa gjumë. Kjo situatë duhet të marrë fund. Politikanët duhet të flasin. Shtypi duhet të flasë. Ju duhet të flisni. Hajdutit duhet t’i dridhen këmbët dhe unë kam nevojë për qetësi dhe kushte të mira të vazhdoj punën.

Me shpresë se do të ndjeni detyrim të reagoni pas kësaj,

I yti Fullhani!

 

 

 

17.06.2014

 

 

Deklaratë e “Aleancës kundër drogës”, lidhur me rastin e Lazaratit

 

“Aleanca kundër drogës”, koalicioni më i madh në histori lidhur me mbjelljen, kultivimin dhe shitjen e drogës, proteston ashpër lidhur me ndërhyrjen brutale të forcave të policisë në plantacionet eksperimentale të saj në Lazarat. Aleanca është e shqetësuar në radhë të parë nga frikësimi i të punësuarve në Lazarat dhe kontrolli i banesave të tyre.

Sipas të dhënave tona, janë kontrolluar në mënyrë barbare 50 shtëpi dhe aty nuk ka pasur asnjë banor. Të gjithë kanë ikur nga frika, dhe pastaj policia ka futur në shtëpi drogë, armë dhe mjete të tjera ilegale për t’i inkriminuar. Që nga shpërngulja e Çamërisë, ky është pastrimi etnik më i madh që një polici bën ndaj popullsisë shqiptare në jug të vendit.

Burra, gra dhe fëmijë, të ngarkuar në mjete rrethanore, fuoristrada, Benz-a, Bentley, Q7 dhe mjete të tjera rastësore, përfshi dhe Ferrari, janë larguar nga lagjia juglindore e fshatit për në brendësi të fshatit.

Kjo është një masakër e vërtetë, një spastrim etnik, i cili i ka hapur rrugën popullimit të kësaj ane me banorë grekofone të Dervicianit.

“Aleanca kundër drogës” proteston ashpër po ashtu ndaj detyrimit të të punësuarve për të djegur hashashin që kanë arritur të kultivojnë me djersë. Lazarati është i mbushur me vatra zjarri dhe tymi i hashashit ndjehet deri në Gjirokastër. Policia kërkon të vërë në gjumë popullin duke djegur hashash me qëllim që ta ketë më të lehtë ndërhyrjen.

Në këto kushte, Aleanca proteston ashpër ndaj pabesisë me të cilën policia po vepron dhe i bën thirrje popullit të Lazaratit të lërë shtëpitë dhe të dalë në mal me qëllim që të shmangë tymin e hashashit, i cili mund ta vërë në gjumë dhe ta inkriminojë.

Pasi të mbarojë djegia e hashashit, populli duhet t’i dalë zot vetes dhe vendit të tij. Ata duhet të hedhin poshtë provat e siguruara pa qenë ata në banesë dhe të shporrin pushtuesit nga fshati i tyre.

“Aleanca kundër drogës” vëren me shqetësim se ndërhyrja e policisë në Lazarat po bëhet për të grabitur prodhimin vjetor të hashashit, duke demonstruar kështu anën e tyre të errët, atë të hajdutëve të ardhur në pushtet. Këta njerëz nuk ndalen para asgjëje, por dhe hashashin duan ta sigurojnë pa derdhur djersë. Populli e ka mbjellur, rritur, ujitur, krasitur, spërkatur dhe korrur, kurse këta shkojnë e marrin direkt e gati në stalla.

Ky ves hajdutësh, i cili duhet ndëshkuar thellë, është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie.

“Aleanca kundër drogës” u bën thirrje gjithë banorëve të Lazaratit dhe mbështetësve të tyre nga gjithë Shqipëria të mos dekurajohen nga ky operacion rrugaçësh, i cili bëhet vetëm e vetëm për të zaptuar tregun e tyre të punës.

“Aleanca kundër drogës” do të jetë gjithnjë pranë tyre, e gatshme për të ngritur zërin dhe për të mbrojtur interesat e tyre përballë mafias kombëtare dhe ndërkombëtare, që e ka Lazaratin halë në sy.

Kryetari

Lulzim Basha

Sekretar

Altin Gonxhja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje