Qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe iu hiqet patenta për shkelje të rregullave të qarkullimit, mund ta caktojnë vetë ku ta tërheqin dokumentin pas konsumimit të afatit të dënimit.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri me propozim të Drejtorisë së Policisë Rrugore ka miratuar një ndryshim në Udhëzimin ““Për mënyrën e evidentimit dhe shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative”.
Ky ndryshim lehtëson procedurat e marrjes së lejes së drejtimit pas përfundumit të afatit të pezullimit, për qytetarët që nuk jetojnë në Shqipëri.
Pak ditë më parë qytetari E.R. nga Elbasani, por që ka emigruar dhe aktualisht jeton në Greqi i është drejtuar Ministrit të Brendshëm me një mesazh telefonik, duke i kërkuar ndihmë për të zgjidhur problemin e lejes së tij të drejtimit të pezulluar nga Prefekti i Qarkut Tiranë për një periudhë 6-mujore.
Qytetari shkruante se e kishte të vështirë të ndiqte rrugën institucionale për të tërhequr lejen e drejtimit pas përfundimit të afatit të pezullimit.
Ministri urdhëroi reflektimin e problematikës. Ndryshimi u krijon mundësi qytetarëve, që në momentin e pezullimit të lejes së drejtimit të deklarojnë vetë se ku dëshirojnë që ta tërheqin lejen e drejtimit kur të përfundojë sanksioni ligjor.
Deri tani të gjitha lejet e drejtimit të pezulluara të qytetarëve me banim jashtë Shqipërisë, pas përfundimit të afatit të pezullimit u dërgoheshin qytetarëve nëpërmjet kanaleve diplomatike në vendin e tyre të banimit.
Ministria e Brendshme përmes një postimi në Fb, fton gjithë qytetarët të bëjnë propozime për problematika të caktuara.