Kunati heton korrupsionin tek heqja e TVSH-së për gomerët

29 Mars 2015, 19:55Antena TEMA

Qeveria ka vendosur së fundmi të heqë TVSH-në për importin e gomerëve. Lajmi, i cili e gjeti në befasi opozitën, i mori Kunatit dy ditë kohë të hetonte se çfarë fshihej pas kësaj afere korruptive.

Dyshja Rama-Meta përmes këtij akti ligjor, në të vërtetë i kanë hapur rrugë një skandali të madh financiar, që forcon grupet kriminale në vend dhe financon botën e krimit.

Sipas analizës që bëri Kunati, prapa këtij akti fshihet së pari përpjekja e dyshes Rama-Meta, për të shtuar gomerët para zgjedhjeve të 21 Qershorit. Kjo bëhet me qëllim të caktuar, për të blerë vota në zonat rurale. Duke u hequr TVSH-në gomerëve, importi i tyre do të rritet, pasi gjenden me çmime të lira në zonat e luftës në Siri dhe Irak, dhe ata do t’i shpërndahen falas fshatarëve, sipas parimit, një gomar, 100 vota.

Me një llogari të shpejtë që bëri Kunati, nëse shifra e importit të gomerëve shkon në 2 mijë para 21 Qershorit, koalicioni Rama-Meta do të përfitonin 200 000 vota vetëm nga gomerët, duke kompesuar kështu gjithë humbjet që mund të kenë në vota nga aksioni i energjisë elektrike dhe ndërtimet pa leje.

Për këtë, Kunati përgatiti një relacion të hollësishëm drejtuar OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, duke paraqitur gomerët si një nga rreziqet kryesore të manipulimit të zgjedhjeve dhe kërkoi që zgjedhjet të shtyhen, derisa opozita të llogarisë efektet e kësaj manovre elektorale.

Rreziku i dytë, që sheh opozita me shtimin e importit të gomerëve, është ndryshimi i demografisë elektorale. Pas ndarjes administrative, importi i gomerëve është një shkak kryesor për ndryshimin e strukturës së votuesve. Deri më tani PD ka qenë e fortë, sidomos në dhjetë vitet e fundit në fshat, kurse PS në qytet. Me ndarjen e re administrative ku gjithë fshatrat iu bashkuan qyteteve, PS kërkon të korruptojë fshatin me gomerë, duke bërë kështu atentatin e dytë ndaj ndarjes territoriale, duke e kthyer atë në elektorale. Duke qenë se fshati qe shpresa e fundit e PD-së për të pranuar ndarjen territoriale, me këtë manovër ajo zhvlerësohet dhe PD po shikon mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve, nëse projekti i importit të gomerëve vihet në jetë.

Rreziku i fundit që shikon Kunati tek kjo strategji, është që gomerët mund të rregjistrohen si të punësuar dhe kështu mund të rritet artificialisht numri i të punësuarve para zgjedhjeve. Për këtë, opozita vendosi të kërkojë leje pune për çdo gomar importi, që të mos ngelen pa punë gomerët vendas, të cilët pas vitit 1990 janë kther në parazitë që nuk shërbejnë për asgjë.

Përfundimet e studimit të tij Kunati ia paraqiti Rulit, meqë ai merr vesh dhe nga ekonomia.

-Po mirë më duket djalo, e ke kapur thelbin. Të paktën tani jemi të sigurt që po humbëm, fajin e kanë gomerët.

1 komente në “Kunati heton korrupsionin tek heqja e TVSH-së për gomerët”

  1. bato says:

    Kot e ka qeveria me kete heqje te tvsh, pasi vendi yne ka aq gomere cilesore sa kane zaptuat te gjitha partite politike dhe ekonomine. Madje kemi aq gomere sa fare mire mund te filloje eksporti i tyre duke rritur te pakten nje ze ne kete fushe. ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje