Pas shumë vërejtjeve nga demokratët, që janë shqetësuar përse PD-ja po shkatërron koalicionin me partitë e vogla, Kunati u detyrua të ulej e të bënte një sqarim zyrtar për ta.
“Jemi të shqetësuar nga shqetësimi juaj, përse nuk shqetësohemi për këtë situatë aspak të qetë para zgjedhjeve. Për këtë po iu sqaroj, se në të gjitha rastet kur koalicioni ka dështuar, nuk është përgjegjësi e Partisë Demokratike, por e partive që janë të implikuara dhe i kap ligji i dekriminalizimit.
Ankesat më të mëdha na vijnë për partinë e çamëve. Siç jeni në dijeni, kjo parti e ka të pasquruar të shkuarën e saj, pasi siç dihet, çamët kanë bashkëpunuar me pushtuesin gjerman në Greqi dhe janë rreshtuar me humbësit e Luftës së Dytë Botërore. Ka akuza të ndërsjellta mes tyre dhe grekëve se kush ishte kriminel lufte. Derisa të sqarohen këto akuza, PD nuk bën koalicion me parti të tilla, me të shkuar të dyshimtë. I vetmi person i pastër, pa të shkuar kriminale dhe që ka luftuar me armë në dorë për liri dhe dinjitet në vitin 1997, është deputeti Tahiri. Atë e ftojmë të rrijë në koalicion me ne.
Partia e dytë që kemi refuzuar është Aleanca Demokratike. Nga një studim që kemi bërë, na rezulton se kjo parti ka një të shkuar kriminale, pasi dy liderët e saj, janë të përfshirë në trazirat e vitit 1997 në Jug. E vërteta është se më pas ata kanë reflektuar dhe i kanë kërkuar falje Doktorit, por partia jonë nuk është si PS-ja, që për interesa elektorale bashkëpunon me njerëz me të shkuar kriminale. Ne, edhe pse jemi dakord që Ceka dhe Imami tani janë njerëz konstruktiv, dikur ata janë përfshirë me partinë e tyre në krime kundër njerëzimit në Jug të vendit, ndaj ne distancohemi prej asaj partie. Ajo parti le të shkojë me Edi Ramën, se aty e kanë vendin kriminelët. Ceka me Imamin janë të mirëpritur në gjirin tonë, pasi ne nuk ngatërrojmë individët me partitë.
Partia e tretë që kemi refuzuar, është ajo e Bamir Topit. Ky njeri është pjesë e kastës kriminale që vrau katër vetë më 21 Janar 2011, në përpjekje për të bërë grusht shteti si president i Republikës. Ne nuk mund të bëjmë kurrë koalicion me këtë parti dhe këtë kryetar partie. Ai e ka vendin aty, tek koalicioni i dyshes kriminale Meta-Rama. Pa u gjykuar 21 Janari dhe roli i tij në atë grusht shteti, ne nuk shkelim mbi gjakun e viktimave të pafajshme.
Partia e katërt, që po hezitojmë të bëjmë koalicion është ajo e Fatmir Mehdiut. Siç dihet nga ligji i dekriminalizimit, Fatmir Mehdiu është i dënuar në Itali me katër vite burg. Nga ky dënim i rëndë, Partia Demokratike ka pësuar një kosto elektorale. Ai është dënuar në shkallë të parë dhe në Apel. Për Mark Frrokun po bëhet nami që është dënuar në një shkallë, kurse Mediu në dy shkallë. Për këtë, ne po hezitojmë të bëjmë koalicion. Luli ka ftuar në koalicion vetëm Gon Dukën, i cili njihet si njeri i ndershëm dhe i papërfolur as nga Doktori, por ne nuk mund të bëjmë koalicion me një parti, që kryetarin e saj e ka të dënuar në Itali për trafiqe dhe favorizim krimi.
Kemi dhe parti të tjera që kemi rezervat tona për të bashkëpunuar, pasi kanë probleme me të shkuarën e tyre kriminale. Standardi ynë është ai i Doktor Berishës. Kush nuk është aq i pastër në të shkuarën sa ai, nuk mund të jetë aleati jonë. Kjo është dhe arsyeja përse partitë e vogla nuk e përballojnë dot standartin e pastërtisë së koalicionit tonë dhe shkojnë me krimin e organizuar të dyshes Rama-Meta“.
That’s cool.
Kjo per Mediun eshte e vertete?!!!
Di dikush me shume?