Doktori me superdhëndrin, këto tre ditë u zhvendosën tek vila e tyre në Lalëz dhe e drejtuan fushatën prej andej. Çdo mëngjes dilnin të dy bashkë shetitje buzë detit dhe superdhëndri i shpjegonte normat që prishin standartet e mjedisit.
-Përshembull marrim rastin e Lalëzit, i thoshte superdhëndri. Po të shikosh nga fshati, gjithë ndërtimet janë në lartësinë e pishave, ose poshtë tyre. Vetëm vila jonë është tre kate me bedena mbi pisha. Kjo dëshmon qartë se këtu është fshehur krimi. Gjithë ata që kanë bërë vila sa pishat dhe më të vogël, thjeshtë kanë dashur të fshehin krimin dhe të mos jenë transparentë. Këtu transparent jemi vetëm ne si familje, që e kemi nxjerrë mbi pisha. Biles vila jonë duket dhe sikur të ikësh dy km në det.
Ne nuk u biem më qafë pishave, nuk vjedhim nga oksigjeni i tyre, por jemi ngjitur lart dhe marrim oksigjen nga deti. Ky është ndryshimi me këta pisat e tjerë që janë fshehur poshtë pishave.
-E kuptova, tha Doktori. Duhet me i denoncue.
-Jo, prit një herë se e kemi pa leje katin e tretë të vilës dhe kujtohet ajo Dallëndyshja e INUK.
-Ashtu, dakord. Se më thanë po merren me këto lejet e Lulit në Tiranë. Si janë ato, janë të rregullta?
-Të rregullta janë Doktor. Ca i kemi dhënë unë dhe Zeni, janë brenda kritereve. Ai Kunati i tij, nuk di gjë në e ka shkel apo jo. Po gjëra të vogla. Na duhen patjetër ato leje, se ndryshe s’kemi asnjë lek për fushatë.
-Dakord atëhere, të merremi me Erionin. Shiko. Merr gjithë fotot e FRESSH-it që gjen në Facebook dhe montoji sikur i takon Erioni rrugës. Të themi që ai bën gjoja sikur takon popull.
-Dakord, tha superdhëndri, po jap porosi menjeherë.
-Kjo Grida si i ka punët në Durrës, tha Doktori?
-Se di, mirë duket. Po nuk po bën akuza kundër Dakos. Nuk e di çfarë ka, më duket se ka pas ndërtu ca pallate në Durrës dhe i ka ngel ca lekë tek betoni.
-Nuk besoj, tha Doktori. Po të ishte kështu, do ta sulmonte, se së paku si paguante lekët. Do ketë ndonjë hall tjetër.
-Nuk e di, por e shof që e ka pak problem. Dhe këta të PD i rrijnë ca larg. S’di ça kanë, nuk po ngjit shumë.
-Ka me fitu . E ndjej që ka me fitu. Ajo vajzë ka një energji të çuditshme. Sa herë vjen në zyrë, ma ndryshon jetën. Dukem më i çliruar pasi ikën ajo, si më i lehtë.
-Po po, do fitojë patjetër tha superdhëndri. Këtej nuk ecet më, s’ka as ndërtime, asgjë. Duket vendi i shkretë.
-Kthehemi, tha Doktori, dhe hodhi sytë nga pishat e Lalëzit. Vila e tij trekatëshe shquante sërish mbi të tjerat.
-Hë, dhe do të krahasohet me mua Edi Rama, tha. Ja, vetëm unë jam transparent këtu, të gjithë i kanë fshehur vilat mes pishave. Duhet t’i shkatërrojmë këta pisa. Kjo është qeveria më jo transparente që ka pas Shqipëria.