Kronikë e takimit të Jarit në Shishtavec për eksodin

27 Prill 2015, 20:39Antena TEMA

Vizita e Jarit në Shishtavec u përgatit me urgjencë, sapo u shfaq vala e eksodit. Jari vendosi të zgjedhë Shishtavecin, si një zonë e thellë dhe nga ku thuhej se kishin ikur shumë banorë.

Pasi mbërriti në qendër të fshatit, organizatorët e ulën në një tavolinë dhe i uruan mirëseardhjen.

-Kam ardhur të ngre shqetësimin tim për njerëzit që po ikin nga qeverisja e keqe, tha Jari. Më thanë këshilltarët e mi se fshati juaj është më i godituri nga kjo valë.

-Po vallai jena godit keq, tha kryeplaku. Si këtë herë nuk ka ndodh kurrë.

-Sa vet mendohet që kanë ik nga fshati, tha Jari?

-Shumë vallai. Krejt thuasje kan ik. As 50 shtëpi s’kena mbet. Krejt kan ik në Tiranë, Bathore, Kamëz…

Jari tundi kokën e bëri sikur s’e dëgjoi.

-Siç thatë dhe ju, tha, si këtë herë nuk kanë ik kurrë… Ndaj them se qeverisja e keqe ka bërë punën e saj.

-Digjo bre zoti president, i tha kryeplaku. Them si këtë radhë s’ka bë vaki kurrë përnjëmend. Kur ishin zgjedhjet më 2013, ju e dini që ne u mbipopulluam. Flamuri solli prej Tirane në Kukës krejt ç’ka ishin e ça s’ishin. Na doli dhe nami se Shishtaveci e Novosela pjellin me shumicë, se janë burrat hamshorë. Kishim më shumë votues në lista se banorë në gjendje civile. Këtë radhë kurrkund. As ka ardh kush, as na ka sjell kënd, s’di vallai kush do votojë e kush nuk do votojë. S’jena as 200 vet.

-D.m.th qeveria i ka zbuar njerëzit jashtë shtetit, tha Jari?

-S’di vallai. E kena pyt Flamurin, a do e mbushësh prap Shishtavecin si herën e parë, por më tha “s’merrem më me këtë punë”.

-Po pra, se qeverisja e keqe i ka detyru njerëzit të ikin jashtë shtetit, vazhdoi Jari.

-O zoti president. Ata që vinin me votu s’kan ik jashtë shtetit, po ky Ed Rama si ka heq prej punet shumicën e ata kan frik me ardh me votu.  Ja ky është halli. Keq me i heq prej pune, e keq me i mbajt në punë.

-Po jashtë shtetit sa kanë ikur nga fshati juaj, i tha Jari?

-Ikin përdit vallai. Kalojnë këtu me mushka në Dragash, në Kosovë shesin patate e vijnë prapë. S’kan ku venë bre, shtrenjt.

-Po në Gjermani a kanë ik, pyeti Jari? Se po bëhet problem.

-Po ikin bre do me punu në ndërtim, po kthehen se s’kan letra.

-D.m.th qeverisja e keqe po i zbon ata, tha Jari.

-Jo bre se Gjermania ka qeveri të mire, tha kryeplaku, por s’kan letra.

-E kisha fjalën për qeverinë tone, tha Jari, që i ka detyruar të shkojnë deri në Gjermani.

-S’di ça me të thënë zoti president, – i tha kryeplaku, por di me të thënë se në jet e mot këta burra kena qenë këtu. Veç për zgjedhje mbushej fshati në kohë të Berishës, kish lezet. Tani me këta, as për zgjedhje nuk po mbushet. S’di qysh i kemi punët, por keq i kena.

-Unë do angazhohem, tha Jari, që njerëzit të kthehen këtu në fshat dhe të mos ikin më. Ky do jetë objektivi im dhe i forcave opozitare kur të vijnë në pushtet.

-Mos, bre mos e bëni këtë të keqe, se s’kan me se rrojnë këtu. Leni njerëzit të ikin. Mirë se në Gjermani s’i lë gjermani, po lërini në Bathore të paktën. Çka po na i sillni këtu.

Jari uli kokën i mërzitur.

-Eja ikim,  u tha këshilltarëve, se po na marrin inat kot. Këta dashkan të ikin të gjithë.

4 komente në “Kronikë e takimit të Jarit në Shishtavec për eksodin”

  1. Bujari says:

    O Bujar doraci!

    C’deshe bre burre i dheut deri ne Shishtavec?

  2. Gopisti i NSHRAK-ut says:



    U ngrit ne kembe
    Gjithe Shishtaveci
    Se erdhi Jari
    Jar Kastraveci.

    Rreth tij u mblodhen
    Te gjithe banoret
    Femijet, plakat
    Pleqte hamshore.

    Dhe fjala e Tij
    Te tere i rrembeu
    Si ish skenderbegas
    Si vet Skenderbeu.

    Ne kembe u ngrit
    Por nuk rrinte dot
    U ul prape ne bythe
    E qau me lot.

    Ne fund kur mbaroi
    E hodhi nje hap
    Nga turma gjemoi
    nje ze “Hajde prap”.

    Dhe Jari premtoi
    C’te bente i ngrati
    U tha qe do kthehej
    Po t’ja lejonte takati.

  3. XUME PROTOPORDHA says:

    Me nje pjate groshe mbase vjen edhe takati.

  4. Albi says:

    Shume fshikulluese kjo satire ! Po edhe shqetesimi i presidentit eshte i madh. Te gjithe duhet te mbajme nje copez faj mbi vete .Gjithesesi nje gje te keni te qarte:Atdheu eshte ne rrezik! Mos e braktisni Atdheun tuaj!Ai eshte foleja qe te mban me ngrohte se cdo vend tjeter !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje