Kunati sot pati një takim të rëndësishëm elektoral. Ai thirri në zyrë doktor Halimin dhe i vuri para një dosje të madhe
-Ç’është kjo, tha doktori?
-Ky është vizioni europian për Tiranën, i tha Kunati.
-Ma shpjego më qartë çfarë është, tha doktori, se unë nuk flas dot me fjalë televizori si Luli?
-Është vizioni i Lulit për Tiranën, ta themi shkurt, i tha Kunati.
-Ou, po pse s’thu ti! Më shpëtove, i tha doktori. Se kam një javë s’më vjen asgjë në mendje si duhet të jetë Tirana. Çfarë ka ky vizion?
-Ky është vizioni i Lulit për Tiranën, i përsëriti Kunati. Kjo është Tirana që Luli ëndërroi para katër vjetësh, por që ëndrra vazhdon përsëri.
Për herë të parë në historinë e Tiranës një kryetar bashkie guxoi të mendonte për Tiranën europiane. Vizioni i tij shtrihej nga kodrat e Liqenit tek kodrat e Paskuqanit, të cilat lidheshin me një bulevard. Ky vizion vazhdon të jetojë në kokën e tij, por katër vjet nuk mjaftojnë, ndaj ai kërkon të ta lërë ty amanet.
Pastaj vjen vizioni tjetër i rëndësishëm i Lulit.
Luli ëndërronte të hapte 150 mijë vende pune në Tiranë me vizionin e tij. Por, sapo ai po e realizonte këtë, në vizionin e tij u shfaq një hije e madhe e zezë që i zuri diellin dhe ia prishi vizionin. Ishte Edi Rama. Ai ia prishi këtë ëndërr, por vizioni mbetet. Luli ishte i pari që e kishte këtë vizion.
Këtu ke vizionin tjetër europian të Lulit, për çmimin e bukës. Para se të vinte Luli në bashki, buka në Paskuqan ishte më e lirë se në Tiranë. Kjo ishte diskriminuese. Tani janë njësoj. Edhe në Paskuqan çmimi është ngritur, është bërë si në Tiranë. Dhe ky ishte vizioni i Lulit.
Tek ky fashikulli tjetër ke vizionin europian të Lulit për studentët. Ata do të shëtisnin në Tiranë me kartën e studentit, do hipnin në autobusa dhe do shikonin filma pa lekë. Këtu e ke një kartë. Të tjerat nuk e la Edi Rama t’i bënte. Mbaje, ta kesh këtë kartën. Ky është vizioni i Lulit, vizioni europian për Tiranën.
Tek ky fashikulli tjetër ke vizionin e Lulit për një Tiranë europiane. Nëse vizioni i parë ishte të lidhte kodrat e Liqenit me kodrat e Paskuqanit me bulevard, vizoni tjetër ishte të lidhte Kinostudion me Kombinatin me tram. Ai do të hyjë në histori si shpikësi i tramit në Tiranë. Ai arriti të gjente i pari se po të kesh një tram në Kombinat dhe po të shtrosh një palë shina deri në Kinostudio, ti mund të udhëtosh me tram nga Kinostudio në Kombinat. Askujt nuk i kishte vajt në mendje më parë kjo gjë. Ky është vizioni i Lulit. Dhe ai do ta arrinte këtë, sikur Edi Rama të mos i prishte vizionin.
Tani këtu ke një kapitull tjetër. Vizionin e Lulit për gratë familjare të Tiranës dhe lehtësirat që do kishin ato pasi lindin fëmijë….
-Prit, prit këtu, tha doktori, se këtu kam vizionin tim. Ça thotë Luli për këtë çështje?
-Luli thotë, që kur një grua lind, ajo bëhet nënë dhe si e tillë duhet respektuar se ka një familje.
-A futja kot, tha doktor Halimi. Sa goca kanë lind tek unë fshehtas pa u bë familjare, futja kot thuj Lulit. Lene këtë se e di vet këtë punë. Më trego ndonjë vizion tjetër.
-Ah po. Luli ka një vizion për taksat. T’i heqim taksat e vogla dhe të rrisim të mëdhatë. Kështu dhe numri i taksave ulet dhe shuma rritet. Ky është vizioni i Lulit për taksat, që nuk e lë Edi Rama të zbatohet.
Dhe në fund dua të të them dhe vizonin e Lulit për lejet e ndërtimit. Ai ka pasur polemika të mëdha me mua, lidhur me vendet ku do të ndërtohet. Ai këmbëngul se nuk ka rëndësi ku ndërtohet, po sa metra katror ndërtohet dhe kush e ndërton. Ai që e ndërton duhet të kalojë së pari nga zyra ime, të kontribuojë për partinë sipas metrave katror dhe pastaj të vazhdojë. Edhe këtë vizion e ndërpreu Edi Rama, me vizionin e tij kriminal për Tiranën.
Doktori po dëgjonte i hutuar.
-A kuptove, i tha Kunati? Ky është vizioni i Lulit për Tiranën dhe ky vizion ka mbetur ende vizion dhe do të jetë gjithë jetën ëndrra e tij për ta realizuar. Me katër vjet ai s’mund të bënte asgjë. A kuptove?
-Kuptova, tha doktori. Me sa shof, unë duhet të flas me Edi Ramën. Po i lë një takim nesër dhe t’i lutem të ma lejojë mua këtë vizionin e Lulit.
-Në asnjë mënyrë, i tha Kunati, se ai do të ta vjedhë.
-Aq më mirë po e vodhi, tha Doktori. Do dështojë dhe ai, do t’i mbetet vizion si Lulit.
Endra e cdo shqiptari te sundoje dhe te vjedhe…
♫♫♫♫♫♫♫♫♫♫
Ehh, doktor Halimi
Të prenë ty në besë
“Bosha per Tirone’n”
Ishte Vrimë e Zezë.
*
Ehh, doktor Kosova
Parë ke shumë vërra
Po kjo e Lulzimes
Është sa për të tëra.
*
Ehh, Halim doktori
Cjap, si nuk kuptove?
Mendja nuk ta mori
Te kasapi shkove.
*
Ta kërkoi Partia
Ta kërkoi hundgjati
Halim pionieri, Ti je:
“Gjithmonë Gati”.
*
Merre ti stafetën
Luli “Ndjesë Pastë”
Humbjen ke në xhep
Gurët ke në trastë.
*
♫♫♫♫♫♫♫♫♫♫