Kunati heton a janë kushërinj Ristani me Koçon  

16 Prill 2015, 20:05Antena TEMA

Pas debatit në Kuvend, Kunati i hyri seriozisht hetimit, nëse Ristani me Koçon ishin kushërinj.

Koçua për këtë nuk dha argumente, por tha që e kishte nip Ristanin. Kjo i bie, që një gjyshe e Ristanit të jetë nga Kokëdhimët.

Nga verifikimi i parë, sa i përket gjatësisë dhe përmasave të trupit, nuk është se janë larg. Kjo është shenjë bazale për burrat që vijnë nga një fis. Po ashtu, të dy janë të drejtë, elegantë dhe kanë një ecje prej kapedani. Mbajnë vështrimin larg dhe flasin gjithë pasion.

Nga verifikimi i mënyrës së jetesës, nuk përputhen. Koço është familjar i rregullt dhe shëtit me gruan, Ristani është harrakat. Kjo shpjegohet, se këto gjëra trashëgohen nga nëna.

Sa i përket pijes, Ristani konsumon çdo lloj pije, Koçua vetëm ujë. Por, sipas gjenetistëve, edhe ky ves duhet përjashtuar, pasi merret nga gjaku i babait, jo i mamasë.

Por, hetimi u koklavit së tepërmi kur Ristani vetë pranoi një fakt tronditës sa i përket të parëve të tij dhe të parëve të Koços.

Deklarata e Ristanit, që nga të parët e tij kishte dëgjuar që me Kokëdhimët nuk duhet të bëhej krushqi, ishte fakti më serioz.

Kur pleqtë të lënë këtë amanet, atëherë dije që jeni kushërinj dhe nuk mund të martoheni me njëri-tjetrin.

Në shumë fshatra në jug, madje dhe në fshatrat e përzier myslimanë dhe ortodoks, ekzistojnë disa fise, të cilat i lënë me gojë fëmijëve që nuk duhet të martohen me fisin tjetër, se janë gjak.

Por, Ristani e hodhi poshtë këtë version. Duke e komentuar për median këtë amanet, Risanti la të kuptohej se amaneti ishte lënë që nuk duhet të martoheshin me Kokëdhimët, pasi sipas tij, ishin njerëz të këqinj.

Duke qenë i paqartë për këtë çështje, Kunati pyeti Rulin.

-Si mund ta interpretojmë këtë deklaratën e të parëve të Ristanit, i tha, që kanë lënë me gojë të mos martohen me Kokëdhimët?

-Në anët tona mo djalë, kur të lënë një amanet të tillë, do të thotë që i ke kushërinj. Por dhe Ristani i shkretë, s’ka faj. Kohët kanë ndryshuar. Po ta thotë këtë Ristani, d.m.th që njeriu nuk duhet të martohet me dikë që e ka në fis se quhen kushërinj, i merret si karshillëk ndaj Zenit dhe nxehet Doktori. Kështu që sa ta prishë me Doktorin, më mirë ndryshon arsyen pse s’duhet të martohen me Kokëdhimët.

-Eh, s’më kishte shkuar mendja tek Zeni, tha Kunati. Ka të drejtë Ristani. Ç’i duhet ajo punë.

3 komente në “Kunati heton a janë kushërinj Ristani me Koçon  ”

  1. aurel says:

    e ca edhe po qene ca te keqe ka ketu .

  2. Jari says:

    Ka ndonje qe e di etimologjine e mbiemrit KokeDhima (me falni per injorancen por me ben konfuz e dhimja ne koke) Pse ta kene dhjere ne koke? Ne cilen pjese te kokes?

  3. ona says:

    haha sakam qesh kjo e fundit ishte kapaku,,,,karshilleku me doktorin eshte I rezikshem,,jo per gje se ju riten edhe kalamajte zenushit dhe fillojne marin hake edhe ata karshi babes dhe ne te njejten kohe edhe kusheririt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje