Kunati formulon dhjetë urdhëresat e Lulit për Marinzën

8 Prill 2015, 21:27Antena TEMA

Pika e parë: Banorët e Marinzës të bëjnë check-up falas nga qeveria, meqë Edi Rama ka premtuar.

Shpjegimi: Meqë ne nuk besojmë tek check-imi falas dhe meqë është e sigurt se ata nuk dinë të bëjnë analiza, me siguri që banorët do dalin të gjithë të shëndetshëm dhe ata nuk na shajnë dot.

Pika e dytë: Tu sigurohet ujë falas me autobote.

Shpjegimi: Meqë nga një vëzhgim i yni, shumica e autoboteve të ujit në zonën e Fierit i përkasin PD-së, propozojmë që Marinza të furnizohet tani e tutje me ujë falas dhe të punësohen njerëzit tanë.

Pika e tretë: Tu çohen vezë të ziera për mëngjes.

Shpjegimi: Duke u çuar vezë të ziera, ata do të mësohen me erën e vezës së prishur që vjen jashtë dhe nuk do tu duket ndonjë diferencë e madhe.

Pika e katërt: Të fluturojnë avion gjatë natës mbi Marinzë

Shpjegimi: Duke fluturuar avion të vegjël, si ai drogës në Divjak, banorët mësohen me zhurmën dhe nuk tremben nga uturima e pusit gjatë natës dhe sidomos nga shpërthimet. Shumica e banorëve do t’i luten Zotit të mos rrëzohet ndonjë avion dhe nuk do ta kenë mendjen tek pusi.

Pika e pestë: Të furnizohet zona me Dioksid karboni.

Shpjegimi: Supermarketet e Fierit, Patosit dhe Roskovecit duhet të furnizohen me Dioksid karboni në gjendje akulli. Kjo duhet bërë, që banorët e zonës të mos kenë firkë nga gazi që çlirohet nga pusi, pasi është njëlloj si ai i supermarketeve. Madje, disa drejtues të fshatit duhet ta blejnë atë publikisht, duke dëshmuar që ata kanë nevojë për të.

Pika e gjashtë: Damian Gjiknuri të detyrohet publikisht të pijë gaz si ai inxhineri japonez kur u rrezikua të shpërthente centrali atomik. Pasi ta pijë gazin, Damiani të deklarojë se kjo është vitale për shëndetin. Kështu banorët do të qetësohen dhe bashkë me ta edhe shumë anëtarë të kryesisë së PS-së, që presin të bëhen ministra.

Pika e shtatë: Të shikohet nëse përfshihet në dhjetë urdhëresat e Kreshnik Spahiut, lufta ndaj neo-kolonistëve të naftës në vendin tonë. Nëse po, të urdhërohet të nisë një njësit gueril për të hedhur pusin në erë dhe pastaj PS-ja të bëhet me Gërdec.

Pika e tetë: Doktori të bëjë sikur i ka ardhur një mesazh nga Patosi, ku të thuhet se pronari real i Bankersit është Ed Rama, i cili ka qenë një herë në ata ishujt ku ka zyrat kompania dhe është fotografuar nudo para zyrave.

Pika e nëntë: Albana Vokshi të mbledhë gratë deputete dhe të shkojë të vajtoj për fëmjët e Marinzës dhe Delvinës, që u kanë helmuar ujin gjakpirësit që nxjerrin naftë.

Pika dhjetë: Gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi bombardimet në Kosovë ka pasur në plan të bombardonte Marinzën gjatë atij operacioni, por bomba nuk plasi. Pas kësaj ai këmbënguli të vinte ta shikonte nga afër objektin dhe pasi ra dakord me Doktorin, vendosën se nuk ka qenë i nevojshëm bombardimi, pasi mund të realizohet dhe me shpim. Për këtë duhet shpallur qytetar nderi i Marinzës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje