Kunati sqaron ILKDPI, për rrogën e Lulit në Holandë

5 Maj 2015, 19:01Antena TEMA

Lajmi se Luli merr 26 mijë euro rrogë nga Holanda si drejtues i programit EWCP, që është një program për ruajtjen e ujqërve në Etiopi, ka tronditur mbarë opinionin publik. Siç dihet, Lulin njerëzit e dinë kryetar bashkie në Tiranë, ndërsa ai paska përfunduar të ruajë ujqërit në Etiopi gjatë këtyre katër viteve.

ILKDPI, pasi mori informacion nga deklarimi i pasurive, i kërkoi menjëherë shpjegime Lulit. Por, ky i fundit ishte në Holandë, pasi kishte shqetësime një prej ujqërve etiopianë, që kishte ngrënë mish të ndenjur dhe e hiqte barku. Ndaj në vend të Lulit u përgjigj Kunati me një letër zyrtare.

I nderuar kryetar!

E lexova kërkesën tuaj dhe në parim bie dakord me shqetësimin tuaj, por situata nuk është ashtu siç duket.

E vërteta është se Luli ka një pasion të vjetër për ujqërit dhe mbrojtja e tyre ka qenë gjithnjë ëndërr e tij.

Për këtë arsye ai qysh kur u bë kryetar Bashkie më thirri mënjanë dhe më kërkoi nëse mund të më besonte mua punët në Bashki.

Në fillim hezitova, por kur më tregoi hallin e tij të vërtetë, që ai mbronte ujqërit në Etiopi përmes një programi, atëherë unë u binda.

Gjatë këtyre katër viteve, unë kam punuar me përkushtim dhe ndershmëri në krye të Bashkisë. Mungesa e Lulit nuk është ndjerë asnjë ditë dhe askush nuk ka mbetur i pakënaqur. Unë jam përpjekur të jem kryetar Bashkie dhe prej dy vitesh dhe kryetar partie në vend të tij, vetëm e vetëm që ai të mos pengohej në misionin e tij fisnik për ruajtjen e ujqërve në Etiopi.

Rroga që ai ka deklaruar është modeste, pasi ai në fakt më shumë sesa paguhet, paguan. Çdo leje ndërtimi që ne japim, e përdorim për të çuar donacion për ujqërit e Etiopisë. Në dy vizitat e fundit në Etiopi, Lulit i kishin premtuar t’i jepnin dy ujqër dhe dy luanë nga Etiopia për Kopshtin Zoologjik. Pas incidentit, kur demi i çau barkun kalit, Luli vendosi që kafshët shqiptare t’i nxirrte jashtë Kopshtit Zoologjik dhe t’i zëvendësonte me kafshë etiopiane.

Duke qenë katër vite në krye të Bashkisë, unë kam punuar i përkushtuar që jo vetëm mungesa e tij të mos ndjehej, por dhe vizioni i tij për Tiranën të mbetej i gjallë. Sa herë kthehej nga Etiopia ai më pyeste se “ç’mendojnë njerëzit për vizionin tim”.

-Të gjithë për atë flasin, i thosha. Njerëzit mësuan më në fund çdo të thotë tram, çdo të thotë bulevard, çdo të thotë kartë studenti, çdo të thotë taksa dhe tatime…Vizioni yt është çdo ditë në mendjen e çdo qytetari të Tiranës, i thosha.

Luli kënaqej dhe ikte çdo të premte në Holandë, prej andej në Etiopi dhe të martë kthehej në Tiranë, pyeste për vizionin e tij.

Pasioni i Lulit për ujqërit ka nisur kur ishte në Kosovë. Ai punonte si përkthyes në KFOR, kur KFOR drejtohej nga italianët.

Një ditë komandanti i KFOR-it e mori dhe e çoi me helikopter në Malësinë e Rugovës. Aty në një katund mblodhën fshatin dhe komandanti nisi të flasë.

-Kam ardhur t’u them mos i vrisni ujqërit, tha, se KFOR ka një program për ruajtjen e tyre.

Luli ua përktheu fshatarëve.

 Fshatarët u çuditën.

-Çfarë thu or shoq, i thanë. Po ujku po na ha delet.

Luli ia përktheu komandantit. Komandanti vazhdoi.

-Do marrim masa për këtë, do t’u heqim dhëmbët shqyes dhe nuk i hanë dot.

Luli ua përktheu.

-Çfarë thua mor shoq, i thanë fshatarët. Delet ngordhin sapo t’u ngul dhëmbët, nga frika.

Luli ia përktheu komandantit.

-Atëherë, tha komandanti, do marrim masa më ekstreme. Do t’i tredhim ujqërit që të mos shtohen.

Luli ua përktheu fshatarëve. U tha që komandanti thotë që ka vendosur t’i tredh ujqërit.

-Or ti shoq, s’paske kuptu gjë nga halli jonë, i thanë fshatarët. Nuk po ankohemi se ujku po na q… delet, por që po na i ha.

Që atëherë Lulit i ka hipur pasioni për ujqërit dhe ka lënë çdo punë e merret me ta. Por, nuk ka asnjë konflikt interesi, pasi unë e kam zëvendësuar me orë të plotë.

I juaji, Kunati i Lulit“.

4 komente në “Kunati sqaron ILKDPI, për rrogën e Lulit në Holandë”

  1. tironci says:

    E forte kjo .ha ha ha

  2. tifozi says:

    S’na ka mbetë gjë tjetër o Mero,të paktën me humorin të jemi në formë.

  3. Mjere Tirana tjuaj… Per 3 vjet Luli qenka mare me ujqerit Etiopiane ne Hollande ku e paskan paguar me trefishin e rroges se kryebashkiakut ndersa Erjon Veliaj, po fitoi me siguri qe nga pasioni qe ka per LGBT do ta mbushe kryeqytetin me ylberista dhe homoseksuale… Hajde si do kercase ne nje te ardhme te afert patatja ne Tirane ?!

  4. Illo says:

    Ky shkrim , si dhe shumica e kesaj rubrike , eshte nje perle e rralle e humorit kohor shqiptar . Antena dhe Fiksi I Cakulit, kane zevendesuar humorin e P. Kulles dhe Hostenit te monizmit .Mendoj se organet e posacme te shtypit te shkruar , lipset te bejne vleresimin e shkrimeve me te arrira dhe te jepen cmime , jo thjesht simbolike , por materjale , ne shuma te arsyshme , per te nxitur cilesine e shkrimeve , qe per dite po zbresin shkallet e dekadences dy e nga dy . I. Foto

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje