Nga Evis Nasto
“O Zot, na jep nje djalë që të jetë i fortë mjaftueshëm për të kuptuar dobësite e tij, guximtar aq sa për t’u përballur me vetveten kur ka frikë, i vendosur për të pranuar humbjen e ndershme dhe i përulur në fitore”… dhe Zoti i dëgjoi lutjet e prindërve të Ibrahim Bashës, edhe pse ata nuk e dinin se një peng i madh do t’u mbeste ne zemër prej humbjes së tij të parakohshme.
Zakoni e do që për njerëzit që lënë këtë botë, të thuhen gjithnjë fjalë të mira, edhe pse jo të gjithë i njohim nga afër. Por për një ish ushtarak i Batalionit Special të Ushtrisë, pjesëmarrës në misionet shqiptare në Afganistan, për një oficer të RENEA-s, në rrethanat në të cilat ai humbi jetën, të mos ndjesh respekt dhe nderim është e panatyrshme.
Ashtu sikurse është e panatyrshme, kundër ligjit të jetës, që prindi të varrosë të birin në një vend ku shteti duhet të mbajë frenat e luftës ndaj krimit dhe jo të lejojë që punonjësit e tij të goditen befasisht pas shpine. Dikush ne homazhet e një dite më parë e quajti hero Ibrahim Bashen. “Heronjtë janë ata të cilët mbeten kurdoherë gati të vdesin për atë që besojnë” shkruan Platoni tek ‘Republika’ e tij, por të besosh në ligj dhe të jesh në anën e atyre që luftojnë për të vënë rendin dhe drejtesinë, është një sfidë e rrezikshme.
Jeta e këputur në mes e 31 vjeçarit është gjurma më e freskët që kemi në kujtesën tonë, por në librin e historisë së tranzicionit prej mëse dy dekadash të këtij vendi janë të shumtë ata që kanë përgjakur tokën, në krye të detyrës. Arben Zylyftari, Gani Malushi, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari… e sa e sa të tjerë. Koha ecën aq shpejt sa duket sikur kujtesa jonë e fundme nuk mund t’i përfshijë më ata, të cilët janë shëndrruar në shifra që mund t’i gjesh të pasqyruara në buletine bilancesh burokrate që numërojne plot 250 efektivë.
Por perceptimi publik për këta emra pas të cilëve qëndrojnë ngjarje tragjike është thërrmuar në vorbullën e viteve, teksa prozhektorët mediatik janë fikur, dhe zotimi i krerëve të institucioneve për të vënë drejtësi është shëndrruar në një mashtrim. Në fund ka mbetur vetëm besimi vetjak që flakërin kryesisht tek familjarët e viktimës, të cilët ndihen përherë e më të braktisur në kauzën e tyre për të kërkuar drejtesi.
Të mësuar me shtyrjet pa afat, a thua se qëllimisht kërkohet te çohet çështja drejt harresës, vënia e autorëve përpara drejtësisë dhe marrja e dënimit të merituar, duket si një mit i pandryshuar ne Shqipëri. Koha kalon dhe goditja që duhej të jepej nuk mund të ringjallet, ajo humbet deri në episodin dramatik të rradhës, ose në rastin më të keq autorët e dyshuar i shpëtojnë gjykimit për mungesë provash. Lind pyetja nëse kjo situate ka degraduar deri në këtë stad prej paaftësisë së strukturave përgjegjëse, dobësisë, apo mungesës së vullnetit? Por a mund të presim që të ndodhin ende të tilla ngjarje? Edhe sa të tjera?
Ekzistojnë gjithnjë dy mënyra për t’u ndeshur me të tilla fenomene: përmes fjalëve ose veprave. Besoj se prej 24 qershorit të këtij viti, nuk duhet të mjaftohemi më, me të kujtuarit të historive të tilla përmes një minute heshtje, as me homazhe pompoze dhe fjalime mallëngjyese, shqiptaret duhet të kërkojnë vetëm angazhime konkrete nga shteti që të dëshmohet se sakrifica e atyre që kanë bërë detyrën nuk do të vlejë vetëm për nderimet e rastit. Ibrahim Basha vdiq sepse u la i vetëm, ashtu si shumë të tjerë përpara tij, dhe pikërisht kjo vetmi e njerëzve të angazhuar me zbatimin e ligjit duhet të zhbëhet njëherë e mirë. Pikërisht nga aty mund të nis ndryshimi.
Dhe nëse ndodh që pluhuri i harresës të mbulojë këtë ngjarje tragjike, atëherë duhet që 24 qershori të përfaqsojë edhe ndërgjegjien tonë, zëri i së cilës duhet t’i kujtojë atyre që kanë instrumentat për veprim, se duhet të ndërhyjnë për të vënë realisht në fre krimin e organizuar, në menyrë që të besojmë të gjithë në vlerat për të cilat sakrifikohen njerëz si Ibrahimi. Vetëm kështu do të mbahen gjallë në memorie ata që besuan tek shteti, që nderuan uniformën, duke mospranuar t’i nënshtrohen kërcënimeve, duke mos u korruptuar edhe pse iu desh ta paguanin me jetën e tyre.
Gjatë homazheve të oficerit te RENEA-s, kryeministri Rama shprehu vlerësim si dhe inkurajoi punën e policisë së shtetit në luftën kundër krimit. Por për t’i ringjallur shpresën shqiptareve të ndershëm dhe femijëve të tyre, më shumë sesa formula korteziale që përplasen thatë në arkemortet e të ikurve nga kjo botë. Për te ringjallur shpresën, drejtësia duhet vënë në vend!
popell debil i perjetshem
Shkrim qe na thote nje tjeter te vertete, qe jo cdokush e kupton..ose do ta kuptoj.Bravo znj Evis.
Mendim kritik i mprehte, si gjithnje, por duhet te themi dicka tjeter: Shqiptari qe ka pushtet sot e ka ndergjegjen me katrore te zeza.
Evis N. shkruan gjithmon sh bukur ,dhe e lexojm me kenaqsi ,por se shqiptaret mbeten mjerisht te pandryshushem . Ata nuk duan te ndryshojn ne asgje.Dhe ky eshte nji nder difektet kryesor te atij mentaliteti nul atje.
Te drejte ke Evis. Per te ardh keq qe vazhdojme te durojme keto padrejtesi ne kurrizin te njerezve te ndershem
Ky shkrim eshte si thirrje per ndergjegjesim! Edhe Italia ka pasur nje problem te njejte me mafien ne fundin e viteve 80-90 dhe arriti te shenonte nje kthese te rendesishme fale ndergjegjesimit te popullit qe ne shumicen e tij hodhi poshte kulturen e heshjtes (Omerta-s) dhe u bashkuan per t’i thene ndal krimit te organizuar dhe mafies qe luftonte shtetin
Pershendetje Evis,
“Roma ishte nje enderr, nje pershperime, nje moket aq delikat sa po te shprehje me teper, do te shkaterrohej”, keshtu i tha Marcus Aurelius gjeneralit te tij me te mire, atij qe nuk do ti dorezohej korrupsionit, deshires per pushtet, por qendronte ashtu sic ti Evis i pershkruan keta gjenerale te ligjit, te palekundur ndaj qellimit te tyre per te vendosur ligjin, per ta mbrojtur ligjin.
E vertete cdo fjale qe shkruan, dhe kjo eshte per tu vleresuar. Ashtu si Roma, Shqiperia tanime eshte nje enderr, nje pershperime, nje ide, aq delikate sa po te shprehesh dhe te mos investohet per te, do te mbetet vetem enderr.