Pas këmbënguljes së PS për t’u zbatuar ligji i dekriminalizimit për Mulin, por dhe për deputetin Zeneli, Muli më në fund gjeti një arsye të re, përse po sulmohet.
Meqë Luli është jashtë Shqipërisë, në Holandë për fundjavë, ai vendosi t’i dërgojë një email.
“I dashur Luli.
Jam menduar gjatë përse duan të më bëjnë keq këta kriminelët socialistë dhe pasi jam konsultuar dhe me Çim Pekën, kam arritur në disa përfundime.
E para, është që duke më dënuar mua, që më ka arrestuar UDB dhe më ka marrë në pyetje, ata duan të njollosin dhe figura të shquara kombëtare si Albin Kurti, Adem Demaçi, apo dhe të madhin Ukshin Hoti. Dhe ata u kapën nga UDB dhe u futën në burgje. Dhe ata janë marrë në pyetje nga UDB, njësoj si unë. Duke dashur të më dënojnë dhe etiketojnë mua, ata në fakt synojnë të etiketojnë figura të mëdha kombëtare dhe patriotike, që i kanë dhënë emrin e tyre të madh historisë sonë kombëtare.
Ata sot dënojnë Mul Nokën, por nesër të njëjtën gjë do thonë dhe për Ukshin Hotin, Albin Kurtin, Adem Demaçin etj, heronj që u dergjën burgjeve serbe njësoj si unë.
Kjo vetëm sa më nderon dhe ngre më lart figurën time si patrioti më i madh i Novosejës, pas Idriz Basha De Novoseja.
E dyta, ata duan me këtë rast të evokojnë si një periudhë të ndritur shtetërore, periudhën kur ka qenë ministër i Brendshëm Gramoz Ruçi. Unë jam arrestuar në atë periudhë nga forcat tona të kufirit kur më kthyen, dhe ata më morën në pyetje. Me këtë, ata duan të tregojnë se atë që Gramoz Ruçi nuk ma bëri atëhere, do ma bëjë tani. Por dhe kjo e lartëson dhe më shumë figurën time.
E treat, që është dhe më e rëndësishme, ka të bëjë me faktin se ata kanë futur në këtë listë dhe deputetin tjetër Zeneli, duke i nxjerrë të dy deputetët e Kukësit të inkriminuar. Kjo është shumë e rëndë dhe tregon qartë devizën e Edi Ramës, që kërkon ta inkriminojë Veriun dhe t’i nxjerrë gjithë deputetët e Veriut kriminelë. Kjo më bind se përveçse u vret sytë figura ime dhe emri im i madh, atyre u vret syrin dhe Kukësi dhe lavdia e tij.
Për këtë ndjehem i qetë dhe krenar, dhe sikur të ma heqin sot mandatin, dhe sikur të bëj sërish burg për mos deklarim.
Unë e kam shumë të thjeshtë ta fitoj çështjen në Gjykatë, por nuk dua ta bëj atë. Mua më mjafton një vizitë mjekësore, ku mjeku me ndershmëri mund të provojë se unë nuk mbaj mend për gjëra që kanë ndodhur gjashtë muaj më parë dhe më mjafton të dal i pafajshëm. Por nuk dua ta përdor këtë imunitet natyral që kam.
Unë dua të më dënojnë, pasi e kam pas ëndërr të jem njësoj si Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Albin Kurti, si të burgosur të UDB, dhe mbi të gjitha të jem viktimë e Gramoz Ruçit dhe Saimir Tahirit. Kukësi nuk do t’ua falë kurrë këtë që po i bëjnë birit të tyre.
I yti përjetë, Muli”