Pas shumë peripecive, Kunati arriti të vendosë një paketë të plotë kushtesh për takimin e Lulit me Ramën ditën e hënë, takim i cili do të vendosë fatet e reformës në drejtësi. Kushtet janë negociuar me kujdes dhe Kunati nuk ka lënë asnjë detaj të iki kot. Qëllimi final është që Luli të ndjehet komod në takim dhe Rama të mos ketë mundësi t’i rrëshqasë çështjeve kryesore:
Kushti i parë është që Luli të mos jetë vetëm, por me Strazon, Alibeajn dhe Bylykbashin.
Në çdo rast, Strazua do fusë një pistoletë në çorape që nëse ja heqin të parën tek dera, të ketë të dytën.
Alibeaj do marrë me vete dhe një ID me emër të vëllait, që nëse e ndalin rojet, të paraqesë atë të vëllait që është në Gjermani.
Oerdi ka marrë masat të ketë me vete teserën e PS-së së mamasë, që se ka dorëzuar ende, dhe e ka kollaj të hyjë.
Kushti i dytë është që të shtrohet një linjë videoje direkt nga vendi ku mbahet takimi tek zyra e Doktorit, i cili duhet ta ndjekë “live” takimin.
Të sigurohen një palë kufje që nuk duken në kamera ngjyrë mishi, për veshin e djathtë të Lulit, që ta ketë për komunikim me Doktorin ndërkohë që zhvillohet takimi.
Edi Rama të lërë një hapësirë prej 50 sekonda pasi flet, me qëllim që ta dëgjojë Doktori dhe t’i thotë Lulit çfarë të thotë.
Rama të detyrohet të mos kërkojë përgjigje të menjëhershme për çdo kërkesë që ka, por të presë së paku dy minuta, kohë gjatë së cilës Luli do bëjë sikur shkruan diçka, ndërkohë që Doktori i flet në kufje.
Të bllokohen celularët në Pallat të Brigadave dhe të punojë vetëm fibra optike që lidh direkt Doktorin me Lulin.
Ambasadori Lu të rrijë një kat më lartë, tek krevati i partizanit Meke, dhe në momentin që mbaron takimi, ai të shkojë një herë të përgëzojë Doktorin, pastaj të vijë të takojë Lulin, pasi i mbetet qejfi Doktorit.
Të ketë një promoter përballë Lulit, ku të shkruhen gjithë kërkesat që Doktori bëri ditën e sotme për reformat, me qëllim që ai të mos ngatërrohet.
Në tavolinë të ketë facoleta të lagura dhe ujë pa gaz për çdo rast.
Në fund të takimit, i pari të dalë Luli duke qeshur dhe Rama i nxirrë në fytyrë. Ky është kusht i panegociueshëm, pasi duam t’u japim mesazh demokratëve, që fituam.