Doktori i kërkon ndjesë ish- deputetit 3K. Jemi keqkuptuar!

18 Qershor 2016, 19:17Antena TEMA

Në një mesazh drejtuar ish- deputetit 3K, Doktori sqaron se gjithë debatet kundër tij, kanë qenë një keqkuptim, dhe premton se e ardhmja e tyre do të jetë e përbashkët.

“I nderuar zoti 3K.

Më vjen keq që nuk të them dot më deputeti 3K, por politika i njeh dhe gabimet, dhe kërkesën e ndjesës. Unë jam një politikan model, që kërkoj ndjesë sa herë gaboj.

Qëndrimi ynë ndaj teje, ishte i nxituar për shkak të keqkuptimit që ne kishim, se ti ishe njeriu më i afërt i Edi Ramës. Tani jemi të qartë. Ti je mentori i Edi Ramës, por ai si fëmijë i mbrapshtë, kurrë s’ka dëgjuar as babën e vet, e jo të të dëgjojë ty, edhe pse ti e bën tënden duke i thënë “dëgjo biri im!”

Qëndrimi yt i fundit për reformën në drejtësi, pasqyron saktë karakterin tënd burrëror prej bregasi me besë dhe dinjitet, dhe tregove veten se je shumë larg atyre lapangjozëve që votuan për dorëzimin tënd në gjykatë.

Ne kërkuam largimin tend, me shpresë se Edi Rama nuk do të lëshonte dhe të bënim politikë. Por lehtësia me të cilën ai të dorëzoi ty kokën në Gjykatë, është poshtëruese për ty dhe unë e mirëkuptoj qëndrimin tënd të ri .

Nevoja për të qenë të bashkuar tek reforma në drejtësi është tani për tani, e vetmja rrugë përmes të cilës shpëtohet Shqipëria, nga kjo tufë njerëzish të papërgjegjshëm, që u ka mbet shteti në dorë.

Ne duhet të jemi serioz në këtë pikë, dhe duhet të lëmë mënjanë ndasitë partiake dhe politike, duke u bashkuar për të shpëtuar vendin nga ky kolonializëm i ri. Këta duan të na katandisin që fati jonë në fund të varet nga një gjykatës apo prokuror, nga ata që unë s’u di as emrat. Ne do keqkatandisemi në atë farë feje, sa në parti nuk do më kenë më frikë mua, po Gjin Gjonin.

Ky është një turp i padëgjuar që Edi Rama po i bën politikës shqiptare, një hakmarrje e ligë e tij.

Pas reflektimit tënd serioz, sot kam njoftuar Partinë Demokratike dhe gjithë anëtarësinë e saj, se ti je aleati ynë dhe kjo do reflektohet dhe në fjalorin tonë politik. Nga qeveria Rama – Meta, ne e ndryshuam fjalorin në qeveria Rama – Kokëdhima, por tani do ta ndryshojmë në qeverinë Rama- Idrizi, pasi vetëm këta dy renegatë, duket që duan të na çojnë me duart e tyre drejt fundit të turpshëm.

Gjithë të mirat dhe konsideroje këtë si një akt miqësie dhe reflektimi nga ana jonë.

I yti, Doktori!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje