Pas takimit me zonjën nga SHBA, Luli u mbyll në shtëpi. Pamja e tij e zymtë në korridoret e Rognerit nuk la përshtypje të mirë dhe po të mos ishte fytyra e qeshur e Aldos, që nuk kupton gjë çfarë ndodh, situata do bëhej dhe më keq.
Shkoi në shtëpi. I pari i mbërriti Kunati.
-Hë si kaloi, i tha?
-Keq, i tha Luli. Ai email-i që na dërgoi të premte, ishte i vërtetë. Ma dha në zarf.
-Po ti çfarë i the?
-I thashë se kam lexuar, se kam qenë jashtë shtetit.
-Po ajo çfarë tha?
-Ajo tha pse akoma me postë u vijnë letrat, nuk përdorni email?
-I thashë e ka pasuordin Doktori të emalit, nuk na e jep.
-Mirë, tha, s’ka problem, na, po ta jap në zarf.
-Çfarë do bëjmë tani, tha Kunati?
-Të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë, tha Luli. Të presim kur të flasë Doktori.
-Po ai të ka marrë?
-Jo jo, akoma. Bile as Aldon nuk e ka marrë.
-Po si e latë?
-Më tha deri të mërkurën pres një sms, “Po” ose “Jo”.
-Mua nuk më duket keq si propozim, tha Kunati.
-As mua, tha Luli. Po puna është tek ai.
-Ta ngacmoj unë, tha Kunati?
-Provo një here, po me takt, i tha Luli.
Kaloi nata dhe Doktori nuk bëri telefon.
U gdhi mëngjesi, përsëri asgjë.
Më në fund në mesditë ra zilja.
-Urdhëro Doktor, i tha Luli.
-Sot duhet të dalësh në konferencë për shtyp, i tha Doktori.
-Patjetër Doktor, e kisha menduar që dje, tha Luli.
-Dhe duhet të jesh i qartë dhe i vendosur.
-Patjetër Doktor.
-Duhet t’u tregosh se ky vend ka zot.
-Patjetër Doktor.
-Dhe duhet t’ua bësh të qartë se ne do ta fitojmë betejën me krimin.
-Patjetër Doktor, e kam parashikuar dhe këtë.
-Duhet të jemi seriozë dhe të vendosur.
-Patjetër Doktor, kam që dje që po e mendoj. Do të jetë një përgjigje dinjitoze. Në fakt kam marrë shumë mesazhe mbështetëse.
-Padiskutim. Kemi me vete gjithë shqiptarët, tha ai.
-Kam 24 orë që përgatitem, tha Luli, do ta shikosh. Kam përgatitur një fjalim dinjitoz.
-Shumë mirë. Dil ti i pari, pastaj do dal dhe unë.
-Patjetër Doktor. Kam qysh dje në mbrëmje që po e mendoj.
-Më fal mor zotëri, se ma ke thënë disa here, që ke që dje që po e mendon. Ngjarja tani ka ndodhur, çfarë ke që dje që po mendon?
-Këtë përgjigjen për amerikanët Doktor.
-Zotëri, duhet të jesh në lartësinë e detyrës. Saje Qorri ka vjedhur 35 mijë euro në Vlorë. Duhet të dalësh e t’i tregosh vendin. Pas teje, duhet të dal dhe unë, se nuk dua të të ul autoritetin si kryetar.
Luli u pre fare.
-Patjetër Doktor. Edhe për atë e kisha. E parandjeva që mbrëmë që do vidhnin bankën. Patjetër për atë do flas.
-Dil tani se po pret një Shqipëri e tërë, i tha Doktori.
-Patjetër Doktor, tha Luli, dhe mbylli telefonin me duar të këputura.
-Hë, çfarë do thuash, i tha Kunati gjithë ankth. “Po” apo “Jo”?
-Po jo mor burrë, duhet të dal të flas për një vjedhje banke.
-Mos, tha Kunati. A nënën kësaj qeverie ku ta ketë që nuk na la një ditë të qetë të flisnim për reformën.