Pas ultimatumit të vendeve perëndimore për miratimin e reformës në drejtësi, Doktori nisi fushatën për të siguruar mbështetje të grupeve të interesit për reformën në drejtësi. Siç e ka zakon, sa herë është në krizë, ai në fillim thërret të persekutuarit politik.
I mblodhi ata në një sallë dhe u ul në krye të vendit.
-Zonja dhe zotërinj, tha. Jam këtu për t’iu shpjeguar përse ne nuk duhet ta miratojmë reformën.
Përse do thoni ju?
Ua them unë përse.Venecia zotërinj është ofruar për arbitër dhe ne e kemi pranuar për arbitër. Tani ka dalë SHBA dhe BE dhe duan të dalin mbi Venecian. Këtë nuk mund ta lejojmë kurrë. Ju e dini mirë çdo të thotë kjo, të ngelemi në dorë të SHBA e BE për drejtësinë, ajo drejtësi që u ka burgosur ju.
U ngrit ish-i burgosuri i parë.
-Zoti Berisha, unë jam burgosur 20 vjet se kam kërkuar të qeverisemi nga SHBA në vitet ‘70. Kështu që unë e kam bërë një here burgun se kam dash SHBA. Unë po iki se nuk kam moshë të mbaj prapë burg në kurriz.
Pas tij u ngrit i burgosuri i dytë.
-Dhe unë kam bërë burg se kam kërkuar të bëhemi me SHBA, tha ai, por 15 vjet më dënuan. Vallai se mbaj më burgun. S’du me bë burg prapë. Po iki.
-Prisni, tha Doktori. Nuk ëhstë njësoj. Atëhere ju dënonin pse donit SHBA, tani do t’iu dënojnë pse nuk doni SHBA. Njësoj është, ndaj nuk jemi dakord. Nuk duam të vuani më për shkak të SHBA.
Pas kësaj salla u boshatis dhe Doktori mbeti vetëm.
Thirri Lulin dhe kërkoi takimin e dytë me pronarët.
E përsëriti fjalimin dhe rrezikun që vjen nga një drejtësi e kontrolluar nga SHBA e BE.
U ngrit ish- pronari i parë.
-Zoti Doktor, i tha. Kena 25 vjet, kjo drejtësia e varur nga ju na ka lënë pa prona. Tani shpresa e vetme është të varet nga ata, mos marrim ndonjë gjë.
-Zotëri, e ke gabim, tha Berisha. Ata nuk duan t’u japin ju tokat, ata duan të na i marrin ne. Ky është ndryshimi. E keni gabim shumë.
U ngrit pronari i dytë.
-Po ne këtë duam Doktor, tha, t’ua marrin ju, të na i kthejnë ne.
-E keni gabim, i tha Doktori. Ju doni të përsëritet padrejtësia. PD nuk është dakord. U bë çfarë u bë të ecim përpara.
Pas kësaj i nxorri jashtë dhe ata.
I nervozuar thirri Lulin.
-Mos më sill më këta plehra, tha, ata janë të gjithë spiunë sigurimi. Më sill ndonjë që na mbështet në këtë qëndrimin kundër këtyre plehrave të Perëndimit.
-Se di, tha Luli. Hysni Milloshin që kemi pas në koalicion ka vdekur. Të pyes vjehrrin a rron Muho Asllani, se ai i ka pas shok këta.