Ashtu siç u bë me dije, avioni i linjës Romë-Tiranë i orës 15.45 është kthyer me urgjencë në Romë pak minuta pas ngritjes, për shkak të një defekti teknik. Sandri ishte në rreshtin e parë të këtij avioni, në biznes klas. Sapo është marrë vesh që avioni kishte defekt dhe po bënte ulje emergjence, Sandri u tmerrua. Kishte shumë pak kohë të linte amanete. Familjen e kishte me vete dhe e vetmja gjë që do linte pas ishte Tv Klan.
Filloi të mendonte se si do ta prisnin lajmin.
Ditmir Bushati: I kërkoj ambasadës sonë në Romë të interesohet, nëse është gjetur pasaporta e shërbimit e zotit Frangaj, pasi është pronë e Ministrisë së Jashtme dhe nuk duhet të mbetet rrugëve, pasi duhet zëvendësuar.
Lulzim Basha: Ky është një lajm i hidhur, pasi opozita mund të mbetet pa kauzë, ngaqë nuk ka kush pushon gazetarë nga puna.
Edi Rama: Ikja e Sandrit do të lërë një boshllëk të madh në koridoret dhe zyrat e Kryeministrisë, ku ai ka konsumuar më shumë kohë se çdo ministër apo Kryeministër i këtij vendi.
Sali Berisha: Do ta kujtoj me respekt për atë që ka bërë lidhur me lirinë e fjalës. Po të të jepte fjalën Sandri për një lajm, e kishe të mbaruar.
Ilir Meta: Jam akoma i tronditur nga lajmi, por dua një konfirmim zyrtar, vërtet ishte dhe Zamiri me të?
Bledi Fevziu: I kisha thënë mos udhëto me “Al-Italian”, se linjë copë copë. Por më thoshte se i pëlqente se jepnin dy herë sanduiçe deri në Romë.
Armand Shkullaku: Janë ca punë që i rregullon zoti dhe duhet ta dimë se jo çdo gjë është në dorë të Sandrit.
Andi Bushati: I kisha thënë Sandrit, mos ju afro shumë zotit, se po të njohu do pendohet që ta ka sjellë në jetë. Po ai vazhdonte fluturonte me avion.
Nikoll Lesi: Kur i thoshja unë të mos udhëtojmë kurrë të dy në një avion tallej me mua. Shiko si do kishim përfunduar. Do t’u shuhej raca, atyre që themeluan gazetën “Koha Jonë”.
Babaramo: Tani që u bëra mik me Zamirin dhe më premtoi një lavatriçe shkon bëhet hataja. Nuk është e thënë të më ecë mua.
Ndërkohë që Sandri po sillte në mendje gjtihë skenat e mundëshme të deklaratave që mund të bëheshin për të, u dëgjua një tronditje e fortë dhe avioni u ul në pistë.
Shpërthyen duartokitje pa fund dhe po dëgjonte lavdërime për pilotin.
-“Mos” tha Sandri me vete, “kur e paskam marrë në punë këtë pilotin se mbaj mend”.