Kunati ka vendosur të prodhojë kaseta dhe për Selamin

6 Korrik 2017, 19:18Antena TEMA

Pas ditës së parë të fushatës, u pa qartë se Luli ishte shumë i mbuluar nga shtypi, për shkak të kasetave që shpërndan Kunati, kurse Selami nuk po dilte askund. Kjo gjë ngjalli zemërim tek shumë demokratë dhe Kunati nisi të reflektojë.

Më në fund mori vendim që zyra e shtypit e PD, të prodhonte dhe një kasetë me lajme për Selamin.

Por për këtë i duhet të ndiqte pas atë në takime.

Shumë nga gjërat që thoshte Selami nuk i shkonin për shtat.

Ndaj mendoi një skemë të re.

Do regjistronin vetëm pamje nga takimi i Selamit dhe tekstin do t’ia vinin në sfond me zërin e spikerit.

Kështu u vendos të bëhej për takimin e Kavajës.

Në fillim do prodhohej kaseta e Lulit.

Sipas regjisorit, Luli duhet të dilte i qeshur, i gëzuar dhe do përqafohej me Isa Sakjen, që fitoi me 28 vota.

-Unë dhe ti jemi legjendat e fitores së bashkive në Shqipëri, i tha Luli. Ti fitove me 28 vota, unë fitova me dhjetë vota. Ti arrite t’i ruash në kuti, kurse unë i gjeta nëpër kuti të tjera, se mi kishte vjedhur Edi Rama.

Kur të zgjodha ty, pashë veten time tek portreti jot dhe e dija që do t’ia dilje, njësoj si unë.

Shpërthejnë duartrokitje në sallë.

Pastaj Luli vazhdon e flet për vizonin e tij në PD, që këto katër vjet bandat e mafias dhe drogës nuk e kishin lënë të realizohej.

-Por këto katër vite, nuk na ndal dot më asnjë, tha Luli.

Në fund ngrihet zëri pak më shumë dhe fillojnë duartrokitjet.

Pas kasetës së Lulit, i erdhi radha kasetës së Edit.

-Këtë bëje me “Republikën e re”, tha Kunati.

Duhet të testojmë a e kanë inat më njerëzit, apo jo. Dhe kaseta fillon.

Në tribunë shfaqet Edi, serioz, i vrenjtur pak, dhe i dëshpëruar.

Ul kokën në një letër e nis të flasë.

Në sallë heshtje varri.

Në sfond me mbulim futet dizanji i “Republikës së re”.

Pastaj një moment Edi ngre kokën nga salla dhe thotë:

“Demokratët duhet të ringrihen, pasi fillon një periudhë e re…”

Shfaqet sërish në plan të parë “Republika e re”.

Heshtje varri.

Në fund zëri i spikerit që thotë: Rivali i Lulzim Bashës, Eduard Selami, i cili është ideator i “Republikës së re”, ka pak shanse të fitojë, pasi ai tenton të zëvendësojë PD me simbole të panjohura për demokratët, ndërsa Basha është idhtar i simboleve të PD dhe demokratëve të vërtetë.

Mbyllet kaseta.

-Shiko minutazhin, tha Kunati, se duhet të jenë njësoj.

-Njësoj janë, njësoj, tha djali i zyrës së shtypit. Tani jemi në rregull, nuk na thonë dot që persekutojmë Selamin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje