Kunati shpjegon arsyen përse Luli u kthye një javë më herët nga pushimet

24 Gusht 2017, 19:17Antena TEMA

Më në fund Luli u kthye dhe Kunati ka shuar kuriozitetin e mijëra demokratëve, për arsyet e kthimit të tij, pa përfunduar muaji gusht:

“Të dashur demokratë!

Sikur është bërë e ditur, Luli është kthyer para kohe nga pushimet, edhe pse muaji gusht nuk ka përfunduar ende.

Disa detyrime për shtëpinë tonë të re në Tiranë, na bënë të ndërpresim pushimet.

Fillimisht kishim shqetësimin se lulet në tarracë po thaheshin, pasi pastruesja na tha se tubi që i ujit ato automatikisht, kishte zënë gëlqere dhe i ishin bllokuar poret që nxirrnin ujë.

Pastruesja nuk dinte ta rregullonte dhe kishte frikë të merrte dikë pa qenë ne në shtëpi, pasi mund të ishte ndonjë i infiltruar i qeverisë Rama.

Kështu që, duke llogaritur se deri më datë 31 gusht ato mund të thaheshin, vendosëm të vijmë një javë më shpejt.

Nga ana tjetër, vendosëm ta ndërrojmë pak stilin e pushimeve, pasi në Holandë ishte atmosferë e ndezur kundër Shqipërisë dhe kudo që shkonim, na kërcënonin se do t’u heqim vizat.

Kur ne u tregonim se kishim familjen në Holandë dhe vetëm burri (d.m.th Luli) ka pasaportë shqiptare, e zbusnin tonin dhe thoshin që do ketë dhe përjashtme.

Në disa raste ata i kërkuan mendim Lulit se a duheshin kthyer vizat apo jo.

Luli u sugjeroi që deri në zgjedhjet e ardhshme duhet të kthehen dhe të kthehen me forcë në atdhe para ditës së votimit, të gjithë ata që kanë ardhur të qëndojnë këtu.

-Kjo mund të më ndihmojë, se njerëzit nuk po duan të votojnë më, tha Luli.

Nëse i ktheni këta shqiptarë që janë këtu dhe u thoni që po u kthejmë se jeni me Edi Ramën, ata mund të votojnë për mua dhe kështu mund t’ia dal.

Ndryshe këtu më keni dhe mua pastaj.

Ardhja një javë më herët në Shqipëri ka dhe të mirat e saj.

Këtë javë provuam guzhinën shqiptare, bamjet e freskëta, patëllxhanet e mbushura, kunguj të skuqur me gjalpë, domate kopshti dhe shumë prodhime të tjera, që në fakt Holandës i mungojnë.

Është e vetmja gjë e mirë që i ka mbetur Shqipërisë dhe që qeveria Rama nuk ka mundur ta prishë.

Po ashtu, duhet të jemi para datës 31 gusht, pasi Fevzo ka festën e emisionit dhe duhet të qepim kostumin, të jemi gati.

Për të gjitha këto arsye, mendoj se kthimi para kohe në Shqipëri, ja ka vlejtur.

Kur po uleshim në Rinas, Luli befas psherëtiu me një ndjenjë pendimi.

-Cfarë ke, i thashë? U pendove që erdhëm?

-Jo, jo, tha. Tani u kujtova, si nuk bëmë një deklaratë kundër komunizmit në Shqipëri.

Duhet të ketë qenë regjim i egër shumë.  Ta bëjmë patjetër sa të shkojmë në zyrë.

Dhe ashtu bëmë”.

1 komente në “Kunati shpjegon arsyen përse Luli u kthye një javë më herët nga pushimet”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje