Kunati u çudit nga lajmet se Presidenti Meta pas kthimit nga Kosova, ka udhëtuar nga Valbona në Theth për të promovuar Alpet Shqiptare.
Gjatë udhëtimit shoqërohej nga Çlirim Peka.
Filloi të shikojë me radhë fotot.
Në foton e parë Çlirimi duke fotografuar Metën dhe dy turistë kosovarë.
-Epo kjo duhet të jetë mesazh për funksionimin si një komb,- tha Kunati.
Më pas fotografinë, ku Çlirimi ecte para, Ilir Meta, pas.
-Po kjo ç’të jetë,- tha Kunati. Mos do të thotë që koalicioni i ri do udhëhiqet nga Zeni, dmth nga Doktori, dhe Meta do shkojë pas? I hutuar nga mesazhi i fotos vazhdoi të shikonte më tej.
Në foto Çlirimi i ulur mbi gurë duke shikuar i menduar horizontin, ndërsa Meta duke parë Çlirimin.
-Kjo do të thotë që vizioni qëndron tek Zeni,- mendoi Kunati me vete, ndërsa Meta është lodhur duke e ndjekur.
Fotua tjetër ishte një fushë me dëborë gjysëm të shkrirë dhe Çlirimi lakuriq me muskuj duke bërë topa bore. Meta nuk dukej asgjëkundi.
-Po kjo ç’të jetë,- tha. Pse është zhdukur Meta? Pse ka dëborë? Përse Çlirimi është lakuriq? Përse ka treguar muskujt? Mos do të thotë që kur të zënë furtunat Meta do ta lërë vetëm Zenin por ai do ta përballojë se është i fuqishëm?
Pamja e Çlirmit i ngjante Herkulit dhe nuk linte dyshim që e përballonte dimrin pa Metën.
I intriguar shumë nga kjo foto, ia nisi të gjitha shpjegimet një mikut të tij, që të pyeste ish deputetin Ruli. Më së shumti këmbënguli tek foto ku Çlirimi ishte i vetëm në mes të dëborës lakuriq dhe Meta nuk dukej.
-Si e shpjegoni, -e pyeti miku i Kunatit Rulin? Pse nuk është Meta në foto?
-Ose është duke bërë shurrën, ose është duke bërë foton, tha Ruli.
Ai u hutua shumë se nuk i shkoi mendja që ishte kaq e thjeshtë.
-Po si të duket ty e gjithë kjo, vërtet po promovon Meta, Alpet e Shqipërisë?
-Me sa po shoh deri tani po promovon Çlirimin, Alpet nuk po i shoh gjëkundi dhe s’më duket shenjë e mirë për Kunatin,- i tha Ruli. Vetëm po shkoi dhe në Nivicë tek fshati i Kunatit ndryshon puna.