Një ditë para seancës për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit, Kunati po përgatiste fjalimin e Lulit.
Si zakonisht në këto raste, ai hap kompjuterin e Lulit, gjen folderat e vjetër me tema të ngjashme dhe i rimerr çështjet.
Kështu bëri dhe sot.
Kërkoi në kompjuterin e Lulit me fjalën “imunitet” dhe kompjuteri i nxorri një seancë parlamentare ku kërkohej heqje imuniteti.
E hapi. Fjalimi ishte i Lulit.
-Epo shumë mirë qenka, tha.
Këtë po i jap prapë, që të jetë koherent.
Fjalimi thoshte:
“E nderuar zonja kryetare (këtu duhej bërë kryetar).
I nderuar zoti kryeministër (kjo duhej hequr).
Jam këtu sot para jush, si dëshmi e një përpjekje për grusht shteti që presidenti i Republikës dhe kryeprokurorja po bëjnë ndaj sistemit të drejtësisë.
Unë jam i pafajshëm.
Akuzat ndaj meje janë të qëllimshme dhe synojnë rrëzimin e qeverisë dhe përçarjen e shumicës në pushtet.
Ata që më akuzojnë mua, se gjoja kam shpërdoruar 220 milionë euro, janë mafia e kuqe, që ka zaptuar Prokurorinë dhe po përdoren politikisht.
Unë refuzoj këtë akuzë dhe u jap fjalën se do të mbrohem deri në fund, dhe nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që kjo Prokurori të më hetojë dhe më pas të më çojë për gjykim.
Unë kam besim se kryeministri i vendit dhe shumica jonë, do të më mbështesë në këtë rrugë.
Nuk është se dua të shpëtoj veten, por dua që ata të mos e bëjnë rrugë dhe për ju këtë gjë.
Akuzat që janë ngritur ndaj meje janë politike dhe askush nuk beson se unë kam vjedhur 200 milionë euro.
Të gjithë ata që fabrikojnë akuza të tilla, mbështetur në shkresa e letra, të cilat janë fomale dhe nuk kanë ndonjë vlerë, në këto raste gabojnë rëndë.
Kontrata që unë kam nënshkruar, nuk mbështetet në ligjin shqiptar, por në ligjin anglez, dhe këta prokurorë nuk arrijnë as ta kuptojnë atë.
E ashtuquajtura Silvia Konti tregoi se nuk është në anën e komisar Katanit, por të mafias…”
Kunati nuk e lexoi fare dhe ja nisi Lulit.
-Hidhi një sy, tha, dhe tek ky qëndrim të rrijmë, ta riformulojmë.
Pas pak, Luli e mori në telefon i shqetësuar.
-Çfarë ke bërë, tha, për pak më more në qafë.
Ai është fjalimi im kur donin të më hiqnin imunitetin.
-Ou, nuk e lexova, tha Kunati. Vetëm pashë që bëhej fjalë për heqje imuniteti e thashë ta kemi si bosht të fjalimit.
-Të lutem shumë, mos kontrollo fjalimet e vjetra, tha Luli.
Përpiqu të gjesh fjalimin e Ed Ramës në atë kohë, e ma nis. Ai më bën punë sot.