Sadiku: Më në fund u ambientova, në fillim kisha probleme në Poloni

26 Tetor 2017, 12:46Sport TEMA

Dy golat e shënuar në Kupën e Polonisë kanë ndihmuar Armando Sadikun që të kthehet përsëri vendimtar për skuadrën e Legias së Varshavës. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ishte lënë në hije gjatë javëve të fundit edhe për faktin se nuk po arrinte të gjente rrugën e rrjetës.

Por në takimin e Kupës ndaj Bytovia ai shënoi 2 herë, në fillimin dhe fundin e ndeshjes, për të treguar se nuhatja para portës nuk i mungon, thjesht kishte pasur nevojë për pak më shumë kohë për t’u ambientuar me futbollin në Poloni, siç pranoi vetë pas ndeshjes.

“Çdo herë unë mundohem të bëj më të mirën, punoj dhe jap 100%. Çdo ditë e më shumë ndjehem mirë në skuadër. Në fillim gjithçka ishte e re për mua dhe kisha disa probleme të vogla. Tani, me trajnerin e ri, gjithçka po shkon mirë. Jam i lumtur me golat në ndeshjen kundër Bytovia, që na ndihmuan të fitonim dhe të shohim me optimizëm drejt raundit tjetër të Kupës së Polonisë”, tha futbollisti.

Ndeshja e mbrëmshme ishte shumë e veçantë, edhe për faktin se në pjesën e dytë, në stadium kishte një “black out” që detyroi ndalimin e sfidës për disa minuta. “Në karrierën time kam luajtur dy ndeshje gjatë të cilave kanë ikur dritat. Këtë radhë, gjithçka u riparua shpejt dhe ishim në rregull përsëri me 5 minuta nxemje”, tha Sadiku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje