Afrimi i ri në Kombëtare, Ajdareviç e nisi te Liverpool, te AEK humbi 7 kg për 16 ditë

29 Tetor 2017, 12:05Sport TEMA

Astrit Ajdareviç do të jetë risia në listën e ekipit kombëtar të Shqipërisë në sfidën miqësore kundër Turqisë.

Mesfushori me tipare sulmuese që aktivizohet te AEK-u në kampionatin e Greqisë, tashmë ka marrë ftesën nga trajneri Christian Panucci.

Por kush është Astrit Ajdareviç? Ai ka lindur më 17 prill 1990 në Prishtinë, ndërsa prindërit e 27-vjeçarit janë me origjinë nga Medvegja.

Familja e tij emigroi drejt Suedisë në vitin 1992. Babai i Astritit, Agim Ajdareviç ishte gjithashtu futbollist dhe aktivizohej me Spartak Subotica në kampionatin e futbollit të ish-Jugosllavisë.

Astrit Ajdareviç, hapat e para si futbollist i nisi në vitin 1996. Skuadra e parë e tij në Suedi ishte ekipi Rinia IF, ku qëndroi deri në vitin 2001. Më pas, ai nënshkroi me klubin e Falkenbergs FF, ku u aktivizua me ekipin e të rinjve deri në 2006.

Më 5 dhjetor 2006, Ajdareviç kompletoi transferimin te Liverpool. Qëndroi dy sezone te skuadra e të rinjve të Liverpool duke fituar edhe FA Youth Cup në vitin 2007. Megjithatë, mesfushori me tipare sulmuese nuk mundi të bënte hapin e madh dhe të bënte gjithashtu diferencën te skuadra e të rinjve të të kuqve në Angli.

Ajdareviç u huazua te Leicester City, ekip me të cilin u shpall kampion në League One në sezonin 2008–09. Ai firmosi për një vit me “dhelprat” duke u shkëputur përfundimisht nga Liverpool-i.

Karriera e tij nuk pati ndonjë rritje të madhe dhe më pas u huazua nga Leicester te Hereford United në vitin 2010.

Disa vite të vështira për karrierën e Astrit Ajdareviç, i cili u rikthye në Suedi ku nënshkroi me Orebro, më pas me IFK Norrkoping, ndërsa provoi të luante edhe me Standard Liege në Belgjikë, sërish në kategoritë e ulëta në Angli me Charlton Athletic, përsëri në Suedi, por këtë herë me Helsingborg, deri sa u rikthye te Orebro në 2015-ën. Pas një sezoni të mirë ku shënoi 6 gola në 35 ndeshje, mesfushori me tipare sulmuese do të firmoste për AEK-un e Athinës, ekip ku vazhdon të aktivizohet ende.

Më 13 dhjetor 2016, Ajdareviç nënshkroi një kontratë me klubin grek, për dy vjet e gjysmë. Kontrata e tij me AEK-un skadon në 2019. Që kur u transferua në Greqi, Ajdareviç zbuloi se ai humbi 7 kg në vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë.

Në të kaluarën, Ajdareviç ka luajtur për Suedinë deri në përfaqësuesen U-23, duke marrë pjesë edhe në Olimpiadë ku ishte kapiten i skuadrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje