Arkitekti i Partizanit të këtij sezoni, Luçiano Moxhi, nuk preferoi të fliste për mediat pas ndeshjes dhe stafetën ia kaloi Antonelo Preitit. Drejtori sportiv pohoi se të gjitha humbjet mbeten të shëmtuara, por disfatën e djeshme ai e konsideron mëkat, pasi u ndëshkuan në gabimin e vetëm në pjesën e parë. Gjithsesi, ai e konsideron të merituar fitoren e Flamurtarit.
“Humbjet janë gjithmonë të shëmtuara, jo të bukura. Por, është mëkat, sepse në pjesën e parë bëmë mjaft mirë, ndërsa në të dytën më shumë ishim konfuzë se sa luajtëm. Ata u mbrojtën mirë dhe morëm trepikëshin. Merita e atyre, por edhe ne patëm gabime”, u shpreh drejtori italian i të kuqve. Sa i përket lojës, Preiti shikon progres, por rezultatet vlejnë në fund.
“Nuk goditëm portën dhe nuk shënuam, ndaj e humbëm. Nga aspekti i lojës pjesërisht, kemi bërë progres, por në futboll kanë rëndësi rezultatet. Kur e humbet ndeshjen për një gabim të bërë apo një goditje të tyre, të vjen keq. Duhet ta eliminojmë këtë gjë, sepse po na ndodh që në gabimin e parë, kundërshtari na ndëshkon”, vijoi drejtori sportiv.
Partizani i këtij sezoni nuk ka arritur që të triumfojë ndaj tre kryesuesve të Superiores. Sipas tij, kjo vjen nga mungesa e disa lojtarëve. “Kemi dy lojtarë që i quajmë të rëndësishëm si Çani dhe Sukaj që janë jashtë. Ndoshta kemi fatin e keq që kemi jashtë dy lojtarë të mirë përpara dhe urojmë t’i rikuperojmë sa më shpejt dhe të jemi konkurrues”, përfundoi Preiti.