Muli hedh poshte lajmet se ka abuzuar me dietat, makinën dhe motelet

25 Nëntor 2017, 18:49Antena TEMA

Muli ka hedhur poshtë lajmet e botuara në disa portale, se kur ka qenë ministër, ikte me dashnore dhe merrte dieta sikur ikte me shërbim.

I revoltuar pa masë nga këto lajme, Muli shkruan:

“Të dashur miq!

Disa portale duan të më përbaltin tani që jam në qendër të luftës kundër krimit dhe drogës.

Ka disa akuza ndaj meje, të cilat do t’i sqaroj një më një.

E para, thonë që pse ke blerë shtëpi në një zonë ku bën 3 mijë euro metri katrorë.

Kjo është një gjë shumë e verifikueshme.

Unë nuk e kam blerë tre mijë euro metri katror, por treqindë euro metri katror.

Pra, keni shtuar një zero.

Me sa di unë, kaq e ka blerë dhe Zeni që është në të njëjtin pallat.

Se ku e keni nxjerr këtë shifrën tre mijë euro metri katror nuk e di, por unë kaq e kam blerë.

Ju nuk mund t’i bëni presion pronarëve të më shesin mua shtrenjtë një apartament, pasi unë e kam blerë për qejf dhe jo për hall.

E dyta, më keni akuzuar se kam blerë Range Rover, që bën 80 mijë euro.

Edhe kjo është një gënjeshtër.

Unë këtë e kam blerë rreth 8 mijë euro.

Kaq i ka lind në zemër pronarit të ma japë.

Nëse ju jeni cmirëzinj që nuk u jep njeri makinë 8 mijë euro, kjo është çështja juaj.

Por krye-akuzën që dua të hedh poshtë, është ajo që unë paskam marrë dieta në Ministri, sikur kam qenë në shërbim dhe paskam qenë me dashnore.

Kjo shpifje ka disa anë të saj të errëta.

E para, ku e dini ju që kam qenë me dashnore dhe jo me shërbim?

Fakti që kam paraqit faturën e hotelit, nuk do të thotë doemos që kam qenë me dashnore.

Pastaj  ju duhet ta dini kaq, që unë nuk jam nga ata që shkoj me dashnore me lekë.

Të jeni të sigurtë që me dashnoren shkoj pa lekë.

Kështu që në gjithë rastet, vetëm lekët e hotelit paguaj.

Por ju as për këtë nuk keni fakte.

Keqpërdorimi i faktit që unë zakonisht flija në hotele në periferi të Tiranës, është i shëmtuar.

E vërteta është se unë flija në motelet rrotull Tiranës, se doja të gjeja në befasi Policinë e Tiranës dhe të kapja në ndonjë motel ndonjë polic me dashnore.

Prandaj të gjithë ata që shpifin, duhet të heqin dorë nga shpifja.

Nuk ka burrë nëne të më akuzojë mua se shkoja në motele me dashnore, vetëm se kam fjetur në motelet e periferisë së Tiranës.

Detyra ku nuk të çon, dhe unë nuk jam nga ata që i bën bisht detyrës”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje