Kunati i tërheq vërejtje Tritanit, për deklaratën e amnistisë së fshatarëve të hashashit

20 Nëntor 2017, 19:06Antena TEMA

Pas deklaratës së Tritanit, që propozoi një amnisti për fshatarët që janë marrë me drogë, Kunati ka marrë një sërë reagimesh nga njerëz të PD-së, që e kundërshtojnë fort atë.

Por reagimi më i fortë vjen nga dega e PD-së në Lazarat, e cila e quan deklaratën e Tritanit, “thikë pas shpine”, për PD-në:

“I nderuar Kunat!

Dëgjuam deklaratën e Tritanit për të amnistuar fshatarët që mbjellin hashash dhe për t’u dënuar investitorët.

Siç e dini, pas sulmit famëkeq që na bëri qeveria në vitin 2014, ne populli i Lazaratit mbetëm pa punë dhe pa katandi.

Duke shfrytëzuar “gjumin mbi dafina” të qeverisë vitin tjetër, e cila mendoi se mbaroi punë me hashashin, ne si të specializuar për punë të hashashit, u shpërndamë fshat më fshat, duke ofruar eksperiencën tonë dhe duke udhëzuar fshatarët se çfarë të bënin dhe si ta mbillnin.

Natyrisht që përdorëm burimet tona të njohjes dhe ekspertizën tonë të gjatë dhjetra vjeçare.

Kësisoj, shumë nga ne që u persekutuam nga regjimi i Edvin Ramës dhe Saimir Tahirit, u bëmë ekspertë dhe investitorë të mbjelljes së hashashit në gjithë Jugun, biles deri në Krujë dhe Velipojë.

Propozimi i Tritanit synon të falë fshatarët që kanë punuar dhe kanë marrë lekët dhe të na dënojë ne, që kemi paguar qimet e kokës dhe s’kemi marrë asgjë.

Ky është një skandal.

Por Tritani me siguri e ka pa të keq, ngaqë mendon se ne jemi nga fshati dhe si të tillë duhet të falemi.

Puna është se ata që mbjellin hashash janë të gjithë nga fshati, por jo të gjithë fshatarët janë punonjës hashashi.

Edhe këtu ka një sërë njerëzish të kualifikuar, që jemi ne, dhe të tjerë që janë për të punuar.

Duke mos dashur të sqarojmë Tritanin, se nuk para kupton nga kjo punë, të lutem përdor autoritetin tënd që kjo nisëm të bllokohet.

Se ja, e zëmë se u votua propozimi i Tritanit!

Po kush do ta bëjë listën e atyre fshatarëve që janë të pafajshëm dhe kush do ta bëjë të atyre që kanë faj?

Edi Rama do ta bëjë.

Po e bëri ai, na fut përsëri ne në listë, që nuk duhet të falemi, dhe fitojnë sërisht socialistët që kanë mbjell hashash.

Ndaj je i lutur që Tritani të ndalohet të flasë publikisht tani e tutje për punë të hashashit.

Ne si fshat bëmë kujdes që kur ishte në fushatë, mos ta pinte, se nuk dihej ç’fliste.

Po se ku do ta ketë gjetur, dreqi e di, se na mori më qafë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje