Olsi Rama: Nuk heqim dorë nga objektivat

24 Dhjetor 2017, 16:21Sport TEMA

Partizani ka arritur ta mbyllë me një fitore këtë vit në Superiore. Ndeshja kundër Vllaznisë e përfunduar me rezultatin 3-1, ka rikthyer atmosferën pozitive tek Partizani, pas humbjes turpëruese ndaj Luftëtarit me shifrat 5-0.

Në një intervistë për “Supersport”, drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama ka bërë një pasqyrim të Partizanit në Superiore, por duke folur edhe për merkaton e klubit.

Kampionati

“E kemi mbyllur vitin me një fitore të rëndësishme ndaj Vllaznisë. Kjo ishte një fitore e bukur pasi erdhi me një lojë të mirë nga ana e Partizanit, sidomos në pjesën e dytë të takimit. Tashmë do ta nisim vitin e ardhshëm me një atmosferë pozitive dhe do të shohim të ndërhyjmë atje ku ekipi ka nevojë.

Merkato

Merkato është një kampionat brenda kampionatit. Ajo mbart brenda intrigën e tifozëve dhe interesin e sportdashësve. Deri tani kemi sjellë dy futbollistë në ekip, por do të afrohen lojtarë të tjerë në varësi të nevojës që ka ekipi. Ajo që dua të them është se merkato e janarit është ndryshe nga ajo e verës.

Edgar Çani

Edgar Cani është ende një lojtar i Partizanit. Ne e kemi pritur deri tani pasi nuk ka pasur gjendjen shëndetësore në nivelin e duhur. Mjeku i ka garantuar futbollistit se me një ndërhyrje në gju, mund të rikthehet brenda 1 muaji në 100% e tij. Edgari do të na shërbente për pjesën e mbetur të kampionatit.

Xhevahir Sukaj

Sukaj ka marrë leje nga ekipi dhe të gjitha këto që po përfliten për të janë vetëm fjalë. Unë kam shumë besim tek Sukaj si njeri, por do të shohim se çfarë do të bëhet për të ardhmen e tij.

Objektivat e klubit

Derisa matematika të na detyrojë të heqim dorë, objektivat janë aty. Dëshira jonë është që këto objektiva t’i realizojmë me një lojë të bukur”, është shprehur Olsi Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje