Në një intervistë të dhënë për “Onet Sport”, Armando Sadiku nuk ka ngurruar të shprehet se klubi të cilit iu bashkua në verën e kaluar, Legia Varshavë, nuk ka shfrytëzuar si duhet potencialin e tij.
Natyrisht, këtë e kalon me ironi dhe jo duke hedhur “vrer” tani që është pjesë e Leavntes në La Liga.
“Unë mbeta i zhgënjyer që nuk m’u dhanë më shumë shanse. Të më mbash mua në stol, është si të mbash një Ferrari në garazh. Jam shumë i zhgënjyer që nuk kisha më shumë shanse. Nuk arrita objektivin që i kisha vënë vetes sa i përket numrit të golave të shënuar, por si mund ta bëja një gjë të tillë kur nuk po luaja?
Megjithatë, nuk fajësoj veten. Unë kam bërë çdo gjë që ishte e mundur, punoja mirë gjatë stërvitjeve. Unë erdha te Legia pa bërë fazën përgatitore. Ndërsa tani, pas një pune të mirë në dimër, mendoj se do të luaja më shumë. Nuk e prisja të largohesha. Por erdhi një ofertë e papritur nga Levante. Kemi rregulluar gjithçka brenda ditës.
Jam i lumtur se si rodhën gjërat. Shpresoj që të luaj më shumë tani. Debutimi ndaj Real Madrid? Të jem i sinqertë, nuk e di nëse do të luaj. Më vjen keq nga një anë që nuk do të luaj për titullin kampion, por nuk kam keqardhje për vendimin që kam marrë”, – u shpreh ndër të tjera Armando Sadiku.