Partizani kërkon të shfrytëzojë momentin e mirë për të marrë tri pikët në ndeshjen e rëndësishme me Kamzën, që luhet ditën e diel.
Kontigjenti i të kuqve është plotësuar, pasi janë kthyer nga dëmtimet disa lojtarë, siç janë Çani dhe Telushi, por sërish ata nuk janë gati për ta nisur titullarë.
Nga sa është parë në stërvitjet e fundit të Partizanit, janë shtuar ndjeshëm kuotat për sulmuesin Besart Abdurrahimi dhe gjasat janë të mëdha që ai të luajë nga minuta e parë në fushën e Kamzës.
Lojtari i ardhur në janar të të kuqtë nuk ka pasur gjendjen e duhur fizike, por tani duket plotësisht gati.
Aktivizimi i mundshëm i Abdurrahimit ul në stol Bardhin, pasi Asani dhe Progni konsiderohen titullarë, i dyti në rolin e qendërsulmuesit. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon nga ndeshjet e fundit, me Ibrahimin, Belicën, Gojkoviçin dhe Kotobellin në mbrojtje, dhe në mesfushë me treshen Batha-Mala-Trashi.
Një fitore me Kamzën do të thotë shumë për Partizanin, që synon të sigurojë një vend që do ta çonte në Kupat e Europës për të shmangur dështimin në këtë sezon me plot ulje-ngritje.