Jari akuzon Ramën se ka vjedhur "befasinë" nga arti ushtarak popullor

28 Dhjetor 2018, 18:55Antena TEMA

Shpallja e ndryshimeve të qeverisë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e kapi në befasi Jarin.

Ishte fiks orari që pinte çajin e mëngjesit dhe i hidhte një sy portaleve.

Për pak desh thirri “fitore”, por u kujtua se këto janë punë të thella dhe nuk kishte pse nxitohej.

Pasi u hodhi një sy ndryshimeve dhe reagimeve rreth tyre, Jari bëri këtë analizë:

“Të dashur demokratë,

Jari ju sqaron!

Ndryshimet e Edi Ramës janë një thikë pas shpine ndaj shoqërisë, pasi ka kapur në befasi opozitën dhe qeverinë.

E para, shikohet tek reagimi i Doktorit.

Doktorit shan më shumë ministrat që ikën, se këta që vijnë.

Kjo tregon se Rama ka zgjedhur njerëz që nuk njihen për të na hutuar, dhe këtë e bën qëllimisht që t’i japë kohë vetes.

E dyta, ka gjetur në befasi Lulin.

Ai ka prerë biletat për në Holandë, ka pronotuar natën e Vitit të Ri, ka marrë masa ku do ta kalojë më 31 dhjetor, kurse ky kërkon t’i prish festën.

E treta, ka gjetur në befasi socialistët, të cilët i prisnin ndryshimet pas Vitit të Ri.

Kjo gjë ka sjellë konfuzion brenda tyre, pasi nuk u dinë adresën ministrave të rinj, ku të çojnë pakot e Vitit të Ri.

E katërta, ka mërzitur oligarkët.

Si mund të shkojnë ata tani në godinën e Kryeministrisë e t’u dalë para Erion Braçja!

Si do ulen ata me Anilën, Belindën etj, për të qarë hallet.

Këto nuk janë punë për gra.

Elementi i befasisë është element themelor në artin ushtarak popullor, dhe Edi Rama po e përdor për të shpëtuar lëkurën e vet.

Këtë gjë e bëri dje dhe me sulmin e pacip ndaj shkollimit të Lulit.

Sipas dokumenteve, Luli e ka filluar shkollën më 1993 dhe e ka mbaruar më 2005.

Interesante është se Rama këtë e quan dështim, ndërkohë që ai është sukses.

Ku ta gjesh një kuadro të përgatitur, që bën studimet për 12 vjet pa ndërprerje.

Deri tani këtë rekord e ka pas Mul Noka me 11 vjet, por Luli ja kaloi në 12 vjet.

Kjo është meritë e tij, si lider.

Edi Rama quan të shkolluar ata që bëjnë shkollën për pesë vjet, që nuk mësojnë dot asgjë.

Kur bën shkollë 12 vjet mëson dhe nga shkolla e jetës, dhe nga gabimet e të tjerëve.

Me 5 vjet nuk ke kohë të mësosh asgjë.

Ndaj nuk duhet të demoralizohemi për këtë, por të jemi krenarë.

Studentët që protestojnë duhet të ndjekin shembullin e Lulit.

Kur Luli gjeti para për të qëndruar 12 vjet në Holandë, pse të mos gjejnë dhe studentët tanë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje