Jari u bën thirrje demokratëve të mos tremben, se Doktori u thotë armë vezëve të Lulit

21 Dhjetor 2018, 17:42Antena TEMA

Jari sot u ngrit me përtim, ngaqë kishte rënë vonë mbrëmë, se ishte duke parë parlamentin.

Në fund ishte kënaqur shumë kur kishte dëgjuar Mond Spahon që kishte sharë Ridvan Boden si spiun të qeverisë tek Bordi i Bankës, dhe aty e kishte marrë një gjumë i thellë.

Dhe sapo hapi sytë, u përqëndrua tek televizori, ku po jepej live seanca e e fundit të vitit për vettingun në politikë.

Adrenalina e Jarit arriti në një pikë shumë kritike në çastin që dëgjoi Doktorin të thoshte se po afrohej dita që ai të bënte thirrjen “o djem rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri”, dhe të gjithë shqiptarët të dilnin në mal kundër regjimit të Edi Ramës.

Befas i ra zilja e telefonit. Ishte njëri nga tre demokratët e Kombinatit:

-Ca janë këto gjëra me luftë që thotë ky mor burrë, se kemi kalamaj dhe duam të hamë një copë bukë rehat, se një jetë kemi…

Jari ngriu, se e kuptoi që ai e kishte fjalën për Doktorin, dhe u përpoq ta qetësonte:

-Të lutem mos fol me zë të lartë, se nuk është ashtu siç mendon ti.

Nuk duhet të trembeni se nuk do të jetë luftë e vërtetë, sepse me pushkë na mundin komunistët ne.

Kur ka thënë që do të rrëmbeni armët, Doktori e ka pasur fjalën për vezët, dhe ju e patë dje suksesin e Endri Hasës, që e plagosi rëndë kryeministrin e krimit dhe të drogës, duke e qëlluar dy herë për vdekje.

Duhet ta dini që në këtë lloj armatimi ne jemi superiorë, sepse kemi siguruar deri tani furnizime nga pularitë e Gon Dukës, Sami Gjergjit dhe të një Papi, Papi nga Korça.

Kemi grumbulluar aq shumë armë, sa mund të luftojmë me qeverinë e Edi Ramës deri në zgjedhjet e vitit 2031, pa na u mbaruar fishekët”.

-Kështu jam dakord, u dëgjua zëri i demokratit nga Kombinati, dhe Jari mori frymë i lehtësuar, duke e pëshëndetur me gjysmë zëri.

Por zilja ra prapë dhe Jari nuk po u besonte veshëve.

-Alo, jam demokrati Thërmija nga Durrësi.

Të kam lexuar që na thua se fitorja po na vjen nga aleanca e ëndrrave e PD me LSI, por ata legenat na tradhtuan dje, sepse votuan buxhetin e Bashkisë dhe bashkuan votat me PS.

Dhe kur e bëjnë tani, që fushata nuk ka filluar ende, si mund t’i zëmë besë ne atyre për vota kur të vijnë zgjedhjet?

Jari u kap pak ngushtë, por befas e mori veten dhe i shkëlqyen sytë.

-Nuk ka vend për t’u shqetësuar, zoti Thërmija.

Në Durrës është duke lindur një diell i ri, falë vizionit të madh të Lulit.

Çelësi është Gaz Oketa. Tre vjet më parë ai ishte në fushatë me Gjushin, dhe ky i fundit fitoi.

Tani ka ardhur dita që Gjushi t’i kthejë borxhin Gazit dhe ta mbështesë si kandidat të PD në Durrës.

Sepse bota është me rrota, një herë unë, një herë ti, dhe kjo e bën të sigurte fitoren e Gazit.

-Dakord, e kuptova, tha demokrati Thërmija.

Unë kujtoja se Fred Xhaferri do na rregullonte këtë cilësinë e diellit në Durrës, kurse ky qenka plan më i madh, d.m.th do ngrohemi në diell të tërë.

2 komente në “Jari u bën thirrje demokratëve të mos tremben, se Doktori u thotë armë vezëve të Lulit”

  1. ZIGUR QARRI says:

    Ironi e kendeshme.

  2. ME EMER says:

    .. po pse ka veze Luli ..?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje