Jari teston optimizmin e demokratëve në prag të festave të Vitit të Ri

23 Dhjetor 2018, 18:12Antena TEMA

Jari sot u zgjua i mërzitur dhe nuk po e kuptonte çfarë kishte. Nisi të vriste mendjen për të gjetur shkakun, por asgjë e rëndësishme nuk i kishte ndodhur. Me lekët nuk ishte keq, pronat e gruas i kishte marrë të gjitha, Doktori e respektonte akoma, tek festa e PD dhe tek Pallati i Brigadave më 28 nëntor e kishin thirrur prapë. Çfarë mund të kërkonte njeriu më shumë në jetë?

Dhe me këto mendime në kokë deshi të ngushëllonte veten e ta merrte ditën me të mirë, kur u kujtua për sulmet ndaj Lulit dhe Doktorit ditët e fundit dhe e kapi një trishtim i thellë.

“Sa po vonohen edhe këto festat”, tha me vete. Ngaqë nuk i bënte zemra të shkruante mori në telefonin dhe formoi numrin e njërit prej 3 demokratëve të kombinatit.

-Mirëdita, Jari ju shqetëson, u kujtua menjëherë që kjo ishte shprehja, kur i drejtohej Doktorit, por nuk e kthente dot më dhe vazhdoi më tej.

-Desha të di si është atmosfera e opozitës këto ditët e fundit të vitit me këtë qeveri të korruptuar dhe kaq të lidhur me krimin.

-Po ça të them unë i shkreti, u dëgjua zëri. Është një komshiu im që ka nxjerr një shprehje me të cilën po qesh gjithë Kombinati, ka tre ditë. “O Edi Rama, të vdektë Lul Basha, se na more shpirtin!”

-Kuptova, tha Jari me gjysmë zëri. Po mendova që këto skandalet e fundit dhe Kuvendi i PD do ta kishin ndryshuar pak situatën. Si mendon, nuk kam të drejtë?

-Nuk e di si e shihni ju andej, por këta çunat thonë se, mirë që s’po ka sy për Qabe me u ngjit, por edhe po erdhi ajo ditë nga Zoti, ky Luli e do ashensorin të gjithë për vete dhe për kunatin.

I mërzitur për vdekje Jari formoi numrin e demokratit Thërmija, që e kishte ruajtur pas telefonatës së fundit.

-Tirana po zien, i tha, besoj se edhe Durrësi nuk mbetet prapa, apo jo? Sidomos pas kthimit të Gaz Oketës në PD duhet të jetë zgjuar shpresa e demokratëve.

-Nuk e di se çfarë po zien në Tiranë, por këtu tek ne është qelb peshku fare, iu përgjigj Thërmija. Mirë Lulit që ia kanë hequr vizën me kohë, por kanë filluar me u tallë edhe me Doktorin. Dhe kjo punë qenka gjithandej.

E keni lexuar se çfarë shkruante ai Ilir Vrenozi i Korçës? Unë atë prej Doktorit e kam njohur, se e paraqiste në facebook si hero, që i vërsulej Edi Ramës. Kurse dje ai i kishte dhjerë gjithë fjalimin e Parlamentit, kur na bënte thirrje që të merrnin armët kundër qeverisë.

Ne këtu kemi një Muharrem Aga, demokrat i orëve të para. Ky figura kishte shkruajtur një status dje që të keqen e Ilir Vrenozit. E ka marrë vesh gjithë Durrësi dhe është kthyer në barcoletë. Me mirë lexoje vetë:

“Gjyshi im bëri 15 vjet burg politik. Kur ktheu demokracia, ai ishte 80 vjeç. Më kujtohet si sot që shkova me vrap në shtëpi që t’i them se fituam. -Çfarë fitove, më tha. -Fitoi demokracia, i thashë. – E kush u bë kryetar, më pyeti. -Sali Berisha, iu përgjigja. – P…e sëmës paske fituar, më tha. Ika e dola, por vonë e kuptova.”

Jarit i ra telefoni nga dora ndërkohë që demokrati Thërmija vazhdonte të fliste i shqetësuar: “A je mirë, mor burrë? Mbaje veten, se kjo ardhja e Gazit në PD mund ta ndryshojë një çikë punën”. Por ishte e kotë, Jari nuk përmendej.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje