Jari shpjegon që socialistët janë të pabesë se po e sulmojnë Lulin kur është me pushime!

22 Dhjetor 2018, 19:44Antena TEMA

Jari sot u zgjua me idenë se të gjithë kishin filluar pushimet dhe ajo era e keqe e opozitës, që shkoi në Parlament vetëm për të shpëtuar prapanicën e vet, do të harrohej shpejt se njerëzit do të kthenin kokën nga festat. Por e kishte menduar gabim. Portalet ishin mbushur me lejen e Lulit dhe shtesë kati, për zaptimin e ashensorit të pallatit dhe për histori të tjera, të cilat e dëshpëruan shumë Jarin. “Çfarë janë këto plehra, që nuk t’u ndakan edhe për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri?”, mendoi me vete dhe pasi e peshoi gjërë e gjatë nisi të shkruajë sa më poshtë vijon:

“Të nderuar demokratë, Jari ju informon!

Mos u dekurajoni nga këto sulme të ndyra të qeverisë së krimit dhe të drogës kundër Lulit, sepse ai ka dhënë prova që di t’i përballojë me sukses. Ne e dimë që pas tyre fshihet Taulant Balla dhe po bëjmë çfarë është e mundur që ta diskretitojmë, por jemi vënë pak në vështirësi.

Dikur e kishim kollaj, se i thonim që është përdhunues, që ka kapur me zor një vajzë me SIDA. Por tani nuk e themi dot më atë, sepse që kur e akuzoi Doktori për herë të parë kanë kaluar 8 vjet dhe po të ishte e vërtetë i bie që Taulanti duhet të kishte vdekur tani. Dhe kemi frikë se po e thamë, e nxjerrim mashtrues Doktorin pastaj.

Por le të shkojmë tek ato që thuhen për Lulin. Atij i marrin të keqen për shtesën e katit, se e ka me letra, njësoj siç kishte pallatin e Xhafës në Vlorë. I ligjshëm apo i paligjshëm, nuk na bëhet vonë fare.

Të guxojnë t’ia prishin dhe do ta shikojnë pastaj si do t’ia fitojë lekët me gjykatë dhe do t’i shkojë 4 mijë euro metri katror për shtesën e katit. I vetmi problem është se këtë Avokaten e Popullit nuk e përdorim dot më, se nuk lejohet që të përfaqësojë privatët, por do të gjejmë një tjetër shoqe të Aurelës.

Sa për ashensorin e pallatit, që e ka personal vetëm për shtëpinë e vet dhe atë të kunatit, çfarë pune kanë këta socialistët e qelbur? Ata nuk e kanë shtëpinë tek pallati i Lulit që të mërziten. Kurse çifti Bollino-Malltezi dhe banorët e tjerë të mos bëjnë si të revoltuar kot, se po të kishim ndonjë problem, duhet ta kishin ngritur zërin që atëherë kur ai e zaptoi dhe nuk kanë pse flasin tani. Se Luli këtë ashensorin privat e ka mbyllur shumë kohë përpara, kur nuk ishte bërë ende kryetar i PD.

Dhe këtu qëndron edhe i vetmi problem që na ka dalë. Sepse kemi frikë se do të tërbohet Doktori, sepse ai ka qenë kryeministër atëherë dhe nuk e ka bërë dot një ashensor personal për shtëpinë e tij. Kurse Luli ka qenë atëherë vetëm njëri prej ministrave të tij.

Për të evituar një konflikt të mundshëm mes familjes së Doktorit dhe familjes së Lulit është ngarkuar Fahri Balliu, i vetmi person edhe me PD edhe me LSI, që konsiderohet si i paanshëm dhe i barazlarguar nga të dy palët.

Këta socialistët qenkan të pabesë se nuk sulmohet njeriu kur ikën me pushime. Kjo është njësoj si të të vrasin, kur je duke bërë seks.

I juaji Jari!”

1 komente në “Jari shpjegon që socialistët janë të pabesë se po e sulmojnë Lulin kur është me pushime!”

  1. Mimi says:

    Ha ha ha…
    Sa artikull i bukur!
    Më pëlqen shumë ironia, sarkazma dhe humori i penës. Më pëlqen se informohem pa u irrituar, e mendja mbetet e kthjellët për të arësyetuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje