Lëkundjet e tërmetit këto dy ditë e kanë futur në panik Mulin.
Ndryshe nga të tjerët që kanë hall se mos i zë brenda shtëpia, Muli ka hall se mos bjerë ndonjë tërmet i madh para zgjedhjeve dhe i bëhet prapë fat Edi Ramës.
Për këtë thirri Lelon se si ta paraqisnin këtë situatë.
-Unë mendoj të dalim me komunikatë publike dhe të themi që nuk ishte termet, por një shpërthim i shkaktuar nga Edi Rama në tunelin e Murrizit, për të trembur shqiptarët përmes tërmetit, tha Muli.
Kjo bëhet që njerëzit të frikësohen dhe t’i falen Edi Ramës, meqë i ka dalë nami se ai u bën shtëpi të reja për tërmet.
Po ta vësh re, ai ka zgjedhur zonën e Dibrës ku është e deleguar Balluku, e cila ka në dorë gjithë lekët e rindërtimit.
Me këtë rast ajo kërkon të marrë Dibrën 5 me zero.
Si të duket si tezë?
-Dakord jam, sikur ta dimë që nuk bie tërmet tjetër, tha Lelo.
Por puna është mos bjerë tërmet vërtetë.
-Nuk ka tërmet, tha Muli. Kam pyetur Ilir Metën për këtë.
Atë e lajmërojnë gjithnjë kur bie tërmet.
Është një sizmiolog që i çon letër.
Këtë radhë nuk i ka çuar. Më 2019 i ka pas çuar.
E kemi fakt shkencor këtë.
-Po problemi është nëse bie, tha Lelo.
-Po ra, ra o burrë. Kur vjen e keqja hapi derën.
Po ta bëjmë tonën, meqë deri këtu ka shkuar tek dy- tre tërmete të vegjël.
Madje pyeta dhe Monikën, se ajo hedh fall dhe tha nuk më ka dal në fall tërmete këtë muaj.
Është e gjitha e sajuar nga Edi Rama.
-Po mirë atëherë, të dalim me komunikatë, tha Lelo.
Kur ne e paralajmërojmë qeverinë që do bjerë tërmet, nuk merr masa.
Kur ne jemi të sigurtë që s’ka tërmet, Edi Rama sajon tërmete për nevoja elektorale.
Kjo ngjit shumë, pasi gjithë ata që kanë dalë dje në sheshin “Skënderbej” nga frika, nuk kanë për t'ia falur.
Lini një Përgjigje