Muli i shpjegon Doktorit situatën e konfliktit para 3 qershorit 

1 Qershor 2022, 19:06Antena TEMA

Dy ditë para zgjedhjeve për sekretar të Përgjithshëm dhe posteve të tjera drejtuese në PD, Muli vendosi t’i shpjegojë Doktorit situatën konfliktuale në PD.

I kërkoi takim dhe shkoi në zyrë.

-Më thuaj çfarë po ndodh, i tha Doktori?

-Situata është shumë e rëndë Doktor.

Zonja Kokpalari ka inatin me zonjën Karo dhe loboi që ajo të mos ishte në Kryesi.

-Ashtu?

-Po. Pastaj zonja Karo loboi kundër Bylykbashit, se e dinte që e mbështeste zonja Kokpalari.

-Ashtu?

-Po. Pastaj zoti Bylykbashi loboi kundër meje, bashkë me Gon Shehun, se mendonin që unë qëndroja pas zonjës Karo.

Ti e di që unë nuk rri kurrë pas femrave.

-Ashtu?

-Po. Pastaj unë kur e mësova këtë, u revoltova dhe thashë të ndihmoja atë zonjën Kadiu, se më dukej njeri i urtë, që s’prish punë.

-Ashtu?

-Pastaj kjo zonja Kadiu tha lartë e poshtë që më mbështet Muli, dhe kjo i interesoi Belos, i cili hapi llaf që e mbështet dhe ai, që të dukej sikur kishte vota.

Pastaj zonja Kokpalari sulmoi grupin e Belos, duke menduar se ata, së bashku me, mua donim të eliminonim grupin e saj.

-Ashtu?

-Po. Dhe këtu filloi gjithë ngatërresa, pasi njerëzit menduan që unë dhe Belo ishim bashkë me ty dhe morëm më shumë vota, kurse këta të tjerët morën më pak.

Tani problemi është si ti qetësojmë, se kjo zonja Kokpalari ka deklaruar se vetëm ty të qëndron besnike.

-Ashtu? Dakord.

Në fakt zotëri mua më qëndrojnë të gjithë besnikë, përveç atij besëprerit.

Por kjo situata qenka shumë e komplikuar dhe këtë e zgjidh vetëm vota e lirë.

Pasnesër do ketë zgjedhje të lira dhe kjo situatë do zgjidhet.

E vendos vota e lirë. Mirupafshim.

Flamuri doli i pezmatuar nga zyra e Doktorit.

-Si s’na u nda kjo vota e lirë gjithë jetën, tha me vete.  

Lini një Përgjigje