Pas heqjes së vulës nga ana e Gjykatës, Muli po përgatitet për skenarin e mundshëm të dorëzimit të selisë.
Heqja e selisë do jetë goditja fatale për autoritetin e tij, pasi e ka fituar me sakrifica të larta derisa u fut dhe në një listë “non gratash”.
Për këtë, ai thirri Lelon për t’u konsultuar për hapat që do ndjekin për të mbrojtur selinë.
-Unë mendoj që ai Lul Brava nuk e kishte keq atë idenë e blindimit të dyerve, pavarësisht se nuk na interesonte ne, tha Lelo.
Po ai ja doli të mbronte godinën atë ditë.
Kështu që unë them ta rishikojmë si ide.
Ato dyert aty i kemi në magazinë.
Ata punëtorët i njoh unë, i thërrasim dhe i vendosim prapë.
-Po jo mo burrë, se do na thonë pastaj Sali Brava.
-Po kjo me rotacion është, një herë ne vulën, ata bravën, pastaj ne bravën, ata vulën. S’kemi pse ofendohemi.
-Nuk më duket ide e mire, tha Muli.
-Po mos u shqetëso o burrë, se Luli nuk ka aq njerëz sa kishim ne, që i hymë me vare e qysqi godinës.
Plus dhe Salianjin që kishte më të fortin me shkop bezbolli, tani është me ne.
-Dakord, le të jetë ky një opsion, tha Muli.
Po nëse ata na sjellin Policinë e Shtetit dhe na thonë lironi godinën, çfarë do bëjmë?
-Aty do qëndrojmë fort, tha Lelo. Nuk e lëshojmë.
Frika që kam unë është se nuk na sjellin policinë e rendit, por policinë tatimore, dhe na thonë paguani faturën e qiras private, se nuk jeni parti. Ashtu na varrosin.
Keq ta paguajmë, keq mos ta paguajmë.
Po e paguam do thonë ku i gjetet lekët, po se paguam do na e mbyllin me dryn.
-Po të jetë ashtu, ne e hedhim godinën në erë dhe nuk lejojmë ta marrë njeri, tha Muli.
-Jo, tha Lelo, se po e hodhe ne erë e marrin Toptanët si pronarë trualli dhe bëjnë ato kullat.
-Po si t’ia bëjmë pra, tha Muli?
-Po të presim të shofim ça bëhet, tha Lelo.
Sikur jemi të qartë për gjërat e tjera e na mbeti selia.
Ne s’dimë a do hyjmë në zgjedhje, ti thua çdo bëhet me selinë.
Lini një Përgjigje