Muli kërkon nga Lelo kontrollin mbi qytetarin digital 

26 Maj 2023, 17:55Antena TEMA

Pas skandalit të sotëm kur Doktorin e tallën sërish dhe doli të denonconte një vendim këshilli bashkiakë mbi emërtimin e një rruge në Kamëz me emrin Dan Hutra, Muli thirri Lelon dhe i kërkoi të marrë urgjent kontrollin mbi “qytetarin digital”, pasi Doktori e kishte humbur fillin.

-Problemi është se tani Doktorin po na e trajtojnë si budalla, tha Muli.

Kjo është shumë e rëndë për të gjithë ne që jemi kolegë të tij, se dukemi dhe ne si budallenj pastaj.

-Ke të drejtë, tha Lelo. E kam menduar gjatë këtë.

Kjo goditja që na dhanë në Kamzë është e qëllimshme, pasi Kamza ka emrat më të shquar të botës, si emra rrugësh.

Ka bulevardin Donald Trump, bulevardin Berluskoni, bulevardin Berisha etj. 

Tani duke tentuar të shtojnë dhe bulevardin Dan Hutra, kanë dashur të tallen dyfish duke prekur emocionalisht Doktorin, duke e barazuar me Dan Hutrën.

-Mendo pastaj kur të bënin analiza këta të shtypit të thoshin vetëm Doktori dhe Dan Hutra kanë vra katër vetë në një ditë, Doktori në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe Dan Hutra në bulevardin Blu, tha Muli.

-Jam dakord, tha Lelo. Duhet marrë nën kontroll, por duhet pak kujdes.

Nuk është aq e lehtë t’i thuash Doktorit që thashethemet do t’i lexoj unë i pari, pastaj ti.

Se ato pastaj nuk quhen më thashetheme.

Duhet të mos rrezikojmë shumë.

-Po çfarë rreziku më të madh se kaq, tha Muli. Na telendisi.

-Kjo nuk është gjëja më e rëndë, tha Lelo.

Më e rënda është që ai ta kuptojë se ne duam t'ia heqim nga duart se ai nuk kupton.

Pra më e rënda është që ai ta kuptojë që ne po e trajtojmë si të rrjedhur.

Kjo është e rrezikshme, ndaj duhet kujdes.

-Dakord, merru me këtë punë, tha Muli se na turpëroi të gjithëve.

Ne kemi reputacionin tonë, s'mund të bëhemi qesharakë.

Lini një Përgjigje