Muli në kërkim të parave ruse në PD

14 Shtator 2022, 20:29Antena TEMA

Pas lajmeve të sotme për paratë ruse në PD, Muli thirri me urgjencë Lelon, të konsultoheshin se si ta vazhdonin operacioin e demaskimit të agjentit rus Lulzim Basha.

Lelo erdhi i shqetësuar pak nga deklaratat e Doktorit.

-Ka bërë gabim, tha.

Parimisht ne i kemi bërë thirrje Edi Ramës të mbrojë Doktorin kur e sulmuan amerikanët, kurse tani që amerikanët sulmojnë Lulin, ne bëhemi me amerikanët.

Nuk është burrni kjo, sipas kanunit.

-Ke të drejtë, tha Muli. U nxitua.

Ai ka frikë se ky është i gjithë komplot i Ramës.

Ai ka porositur shkrimin në Mother Jones, që ne të akuzonim Sorosin, pastaj Sorosi të nxehej dhe të fabrikonte faktet në Departament të Thesarit, pastaj të nisnin hetimet dhe në fund të bënin Doktorin të bëhej me Sorosin.

Është lojë e hollë e Edi Ramës. Nuk na ka shku mendja, na kapi gafil.

-Tani më thuaj ca fakte ku mund të jenë përdorur paratë ruse në fushatë, që t’i demaskojmë, tha Lelo?

-Në fillim dyshoj se paratë ruse kanë shkuar tek kunati i Lulit, tha Muli.

Ai paguante një gazetare angleze që raportonte për median ruse gjatë çadrës dhe punonte ne një portal të PD.

Dhe jepnin intervistë të gjithë aty tek Rusia Today.

Pastaj dhe për ca media të tjera ruse gjatë protestave të 2019.

Pra ajo anglezja më duket merrte paratë ruse që kishin ardh për ne.

Ajo duhet hetuar se tani më duket nuk është më me Doktorin, por me Lulin.

Kështu që i bie që ajo i ka marrë paratë ruse.

-Po, e kam parasysh, tha Lelo. Ndonjë detaj tjetër.

-Dhe ky Sait Dollapi paguante çadrën dhe nuk më linte mua të përzihesha me pagesa.

Një ditë e dëgjova që i thoshte njërit në telefon “Da, da”.

Kam frikë se e ka paguar me para ruse.

-Po, e mbajta shënim dhe këtë.

-E treta që më ka pas rënë shumë në sy, në çadër pihej shumë çaj rus.

S'di kush na e binte pa lekë, por çaj rus ishte.

I thashë një herë Lulit pse çaj rus, por më tha e kanë të mirë.

Kjo më ngjalli shumë dyshime.

-Qenka interesantë dhe kjo. Ndonjë gjë tjetër?

-Dhe një herë në një moment gëzimi, kur menduam se Rama u dorëzua, dikush vuri muzikë atë vallen, Kalinkën.

Se ka ritëm të gëzuar. Dhe aty mendoj se ka qenë ndërhyrje ruse.

-Mjafton, tha Lelo. Duhet t’i denoncojmë të gjitha një nga një.

Lini një Përgjigje