Muli nxit aleatët jashtëparlamentar të Doktorit ti bashkohen letrës së Gjuzit 

12 Tetor 2022, 18:25Antena TEMA

Pas suksesit që pati letra e Kujtim Gjuzit drejtuar presidentit të SHBA, Muli thirri sot Lelon të nxisin aleatët e tjerë jashtëparlamentarë të Doktorit, t’i bashkohen asaj letre.

-Kam frikë se do ta marrin vesh që janë idiotë, tha Lelo, dhe do na prishin punë.

-Nuk ka rëndësi, tha Muli. Rëndësi ka të quhen disa parti politike që mbështesin letrën.

Mba shënim disa pika që fola me Doktorin dhe nisua atyre.

Fjala vjen, Kostaq Papa dhe Selami Jenisheri, duhet t’i bashkohen të parët.

Në letër të shkruhet:

“I dashur president Biden!

Me siguri ju u ka mbërritur letra e kolegut tonë Kujtim Gjuzi, që kërkon që ju të anuloni sanksionet e vendosura ndaj familjes Berisha, si familje e korruptuar dhe minuese e demokracisë.

Jo gjithmonë gjërat janë ashtu si duken.

Në një moment një njeri mund të jetë minues i demokracisë dhe në një moment shpëtues i demokracisë.

Ja ne të dy përshembull, përfshi dhe zotin Gjuzi, tani mund të të dukemi si minues të demokracisë meqë po ndihmojmë zotin Berisha.

Por ne më 2019 kemi qenë shpëtimtarë të demokracisë, se kur zoti Berisha urdhëroi të iknin nga Parlamenti, ne hymë dhe shpëtuam demokracinë.

Falë qëndresës sonë në Kuvend, politika shqiptare hodhi një hop të madh emancipues.

Ne ishim çdo ditë në vëmendje të opinionit publik me ato që thoshim dhe bënim.

Dhe mendo që nuk kishim asnjë udhëzim nga Doktori.

Ndaj duhet të rishikohet kjo punë.

Nuk ka pse vuajmë tani disa gabime të Doktorit dhe familjarëve të tij.

Edhe nëse kanë bërë ndonjë lek, e kanë investuar për të mirën e Shqipërisë dhe demokracisë.

Ja shiko Syri TV. Aty kanë hedhur gjithë lekët e fituara për të mirën e demokracisë.

Mos të përmendim këtu dhe punën e blogeres së familjes. Nuk keni pse e merrni inat kot.

Vëni dorën në zemër dhe na ktheni përgjigje.

Ne jemi të gatshëm në çdo kohë të hyjmë në Kuvend po e kërkoi SHBA.

Kosta dhe Selamiu!”

Lini një Përgjigje